Basha nga Berati: 300 ditët e Ramës, ekonomi e dobët, e ardhme e pasigurt
Kryetari i PD Lulzim Basha hodhi poshtë arritjet e qeverisë Rama gjatë 300 ditëve të para të qeverisë. Nga Berati, ndërsa mori pjesë në kuvendin zgjedhor, Basha tha se taksat e larta, goditja abusive ndaj biznesit dhe pasiguria juridike është bashkëshoqëruesja e sipërmarrjes vendase dhe të huaj gjate këtyre 300 ditëve në Shqipëri."Javën tjetër mbushen 300 ditë. Ku janë me bilancin e tyre ?! Ekonomi e dobët, e ardhme e pasigurt. Ky është rezultati i drejtpërdrejt i politikave të gabuara e pa kokë të taksave të larta, të goditjes abusive ndaj biznesit, të pasigurisë juridike. Premtuan 300 mijë vende të reja pune. Sa vende pune kanë hapur këtu ne Berat? ( kanë mbyllyr) I kanë mbyllur në të gjithë Shqipërinë. Dhe këtë tani e thotë dhe Instituti i tyre i Statistikave që e ka çuar papunësinë nga 13.9 në 18.3%", theksoi Basha.Ndërkohë Basha tha se PD ka vendosur nje standard të ri në Shqipëri përsa i përket regjistrimit dhe riregjistrimit të anëtarësisë reale të saj e cila sot ka 101 mijë anëtarë."Vlerësimi i punës dhe i kontributit të gjithsecilit në bazë të rezultateve dhe në bazë të votës së lirë të PD është dhe mbetet mantra jonë për të ecur përpara. Prandaj jemi në këtë proces, prandaj kemi nisur këtë fushatë të madhe, këtë fushatë të jashtëzakonshme, të paprecedent që e shohin me sy ziliqare e lakmitare dhe mundohen ta përbaltin të pavirtytshmit e të majtës historike shqiptare. Sot mund të themi jo pa krenari, se jemi e para parti politike në Shqipëri dhe ndër të paktat në Europën Juglindore që ka të dixhitalizuar plotësisht në mënyre korrrekte, objektive pa fiktivitet anëtarësinë e saj prej 101 mijë anëtarësh të PD anembanë Shqipërisë”, tha Basha.