PD: Rama hakmarrje ndaj 3 ambasadorëve, konferenca ishte politike

Opozita ka reaguar ashpër për përjashtimin e tre ambasadorëve në punimet e konferencës 3-ditore që organizoi ministria e Jashtme. Ish-kreu i diplomacisë, deputeti i PD, Aldo Bumçi tha se vendimi për të mos ftuar ambasadorët shqiptar në Itali, Neritan Ceka, Flamu Gashin në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal Berishën ambasador në Angli ishte një hakmarrje e kryeministrit Rama.“Një akt që nuk ka asnjë shpjegim publik, tre ambasadorë që kanë të gjitha atributet, kredencialet, marrin rrogën dhe përfaqësojnë Shqipërinë përjashtohen si një akt hakmarrje politike. Ky është mesazhi i parë politik. E dyta çfarë mesazhi i jepet partnerit tonë strategjik, Italisë, Londrës apo vendeve të tjera nga Shqipëria me akte të tilla që ne zhvlerësojmë përfaqësimin tonë dhe imazhin e vendit tonë”, u shpreh Bumçi.Sipas tij, pavarësisht premtimit të Edi Ramës për të hequr ndikimin e politikës nga diplomacia, mesazhet që tha konferenca ishin kryekëput politike.“Kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm kanë deklaruar me të madhe që arritja më e rëndësishme e këtyre 10 muajve është në fushën e politikës së jashtme është depolitizimi i shërbimit diplomatik dhe vendosja e tij mbi baza të vlerave dhe meritokracisë. Në fakt në këtë konferencë të organizuar me trupin tonë diplomatik ka pasur vetëm një mesazh dhe ai mesazh ka qenë politik nga fillimi deri në fund”, tha Bumçi.Ndërkohë Ministria e Jashtme argumentoi mungesën e ftesës së tre ambasadorëve duke deklaruar se tre përfaqësuesit diplomatikë kanë shkelur ligjin për shërbimin e jashtëm dhe për këtë i kanë kërkuar presidentit largimin e tyre nga detyra.