Zhduket prej 6 ditësh "Reni i Elbasanit", nëna akuzon ish-të dashurën: Më tha nuk do ta gëzosh

Elbasan-Renato Hamzai, 21 vjeç, rezulton i humbur që prej ditës së dielë të 29 qershorit. Këngëtari i muzikës tallava, i njohur ndryshe edhe si "Reni i Elbasanit", atë ditë të dielë kishte pasur përgjatë gjithë ditës telefonata që për nënën e tij ishin të dyshimta.

Nëna e tij Silvana tregon se duke qenë i angazhuar në netët live të bareve dhe restoranteve, 2 djem i kanë telefonuar Renatos përgjatë gjithë ditës së 29 qershorit ku me insistim kërkonin ta takonin.

Por dyshimet e saj e çojnë edhe tek një histori dashurie që djali ka pasur në moshën 16-vjeçare. Për Ora News, nëna tha se  djali ka patur konflikte me ish të dashurën, gjatë kohës kur ka qenë beqar, pasi tani Renato Hamzai është i martuar dhe në pritje të një fëmije. 

Sipas saj ish e dashura e ka kërcënuar për të birin. “ Si djalë beqar ka dashur një vajzë. Ka patur një lidhje me një vajzë , por u ndanë, djali u martua dhe ajo iku ajo në punë të saj. Nu ke di pse i bën tani ajo këto gjëra. Dikur kur e ka dashur djali, aj më thoshte “djalin nuk do e gëzosh se unë do ta vras”, sepse unë nuk e doja sepse nuk ishte për djalin tim. Djalin e martova, kam nusen shtazanë. Them se e kanë marrë peng dy të dyshuar”, tha ajo.

Më e dhimbshme kjo histori është për bashkëshorten e Renatos, Danjela, e cila rrëfen ditën e fundit me të dhe ben apel ndaj shtetit të zbardhë fatin e bashkëshortit të saj.

“Atë ditë iku se mbaroi sporti, iku dhe doli. Dhe na tha mos i nxirrni gjërat se do të vi prapë. Ne ashtu i lamë, pritëm , pritëm, ai nuk erdhi më. Unë kërkoj ndihmë nga shteti, nga njerëzit të na ndihmojnë. Jam grua shtatzanë, pres dita-ditës, dua që babai i fëmijës tim ta shohë, ta puthë, ta ledhatojë si çdo nënë.”



21 vjeçari Renato Hamzai humbi kontaktet me familjen në 29 qershor, ditën e diel, ku ishte nisur edhe për në Durrës. Sipas familjarëve telefonata e fundit e Renatos ka qenë në orën 08:10 të mengjesit të 29 qershorit, por prej atij momenti telefoni i tij rezulton i mbyllur.

Zhdukja e Renatos dyshohet të jetë një rrëmbim. Deri tani policia ka shoqëruar dy të dyshuar.

Ja një nga këngët e personit të humbur, Renato Hamzait: