Nishani kthen ligjin e karrierës së FA: Merr kompetencat e Presidentit e Metës
Ligji "Për Karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë" bie ndesh me kushtetutën dhe i merr kompetencat Kreut te Shtetit por edhe Kuvendit. Ky është arsyetimi i kreut të shtetit Bujar Nishani i cili ka dekretuar Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të këtij ligji.Në arsyetimin që shoqëron dekretin theksohet se përmes ndryshimeve në këtë ligj synohet të merren kompetenca të presidentit si Komandanti i Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe ti kalohen Kryeministrit.Më tej Nishani argumenton se me ketë ligj nuk i merren kompetencat vetëm kreut të shtetit, por edhe Kuvendit."Ligji sjell si pasojë përqendrimin e karrierës ushtarake në mënyrë absolute tek Kryeministri duke tejkaluar kompetencat e Kuvendit për të vendosur si pushtet dhe autoritet primar në drejtimin e Forcave te Armatosura".Për Nishanin ligji bie ndesh me parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve."Këto qasje bien ndesh me sistemin qeverisës në Republikën e Shqipërisë, i cili bazohet në parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, garant i së cilës është edhe Presidenti i Republikës si Kryetar Shteti dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Si konkluzion, kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e ligjit pasi bie ndesh me nenet 168 pika 2, 169 pika 1 dhe pika 4 të Kushtetutës."Bujar Nishani ka theksuar se çdo nismë ligjore që ka të bëjë me komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura, karrierën ushtarake, statusin e ushtarakut etj, duhet të ishin konsultuar me Presidentin.Ligji u miratua më 2 maj me votat e mazhorancës, ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko abstenoi.