Kukës, rritet niveli i Fierzës, izolohen 22 familje në Breg Lumë
Kukës-22 familje të lagjes "Kovaç" të fshatit Breg Lumë, të komunës Tërthore të rrethit të Kukësit, prej më shumë se një jave janë izoluar dhe nuk komunikojnë me qytetin e Kukësit, për shkak të rritjes së nivelit të ujërave në liqenin e Fierzës.Banorët tregojnë se ky fenomen është i përvitshëm ndërkohë që këtë vit situata paraqitet më e rënduar, kjo dhe për shkak të ndotjes masive të liqenit, ndotje e cila ka arritur deri te banesat e tyre.Siç tregojnë edhe pamjet, të gjitha parcelat e mbjella tashmë janë mbuluar nga uji, ndërkohë që burrave të lagjes i'u duhet të ecin në këmbë me kilometra të tëra për të vajtur deri në qytet, apo për të bërë transportimin e ndonjë të sëmuri, me kafshë. Ata thonë se askush nuk ka ardhur për t'i ndihmuar, ndërkohë që një pjesë e familjeve janë detyruar që të migrojnë nga fshati, duke lënë banesat në mëshirë të fatit, pasi uji pushton gjithcka.Në tokat e përmbytura nga uji, ndonëse fermerët i kishin mbjellë në stinën e pranverës,në to gjenden vetëm mbeturina të llojeve të ndryshme, që nga ato urbane e deri mbetje spitalore apo pesticide, të sjella nga rrjedha e lumit Drin. Era e rëndë e përhapur kudo vë në rrezik jetën e banorëve, pasi me temperaturat e larta favorizojnë shpërthimin e ndonjë epidemie.Lagjia "Kovac" përmbytet çdo vit, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit të liqenit të Fierzës. Një pjesë e familjeve janë trajtuar në skemat e dëmshpërblimit të të përmbyturve dhe janë sistemuar në zona të ndryshme të vendit, por pjesa tjetër detyrohen të jetojnë në të tilla kushte, pasi nuk kanë asnjë mundësi ekonomike që të shpërngulen.