Invalidët paguajnë biletën, por dhe fyhen. Shoqata: Ligji s'zbatohet

Tiranë- Invalidët jo vetëm që po paguajnë lekë për biletë, por në rast se kanë refuzuar janë fyer nga fatorinot.Shqetësimin, Shoqata e Invalidëve të Punës ia bën të ditur Shoqërive të Transportit qytetas, por edhe Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.Kreu i Shoqatës, Abdulla Omuri, tha se situata e krijuar ndodh për shkak se shoqëritë e transportit qytetas nuk zbatojnë ligjin. Situata është e njëjtë në Tiranë dhe në Shkodër, më pak e dukshme në qytete të tjera ku përdoret autobusi urban.“Shoqata e Invalidëve të Punës e Shqipërisë reagoi në rrugë institucionale për shkeljen e këtyre të drejtave nga operatorët privatë që kryejnë shërbimin e transportit urban, ku në disa raste është përdorur edhe dhunë psikologjike dhe fizike tek invalidët e punës duke i zbritur nga autobusët me forcë. Diskriminim i hapur njerëzor dhe mbi të gjitha edhe penal. Duke u ballafaquar me një fakt të tillë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe konkretisht Ministri Veliaj, bëri një udhëtim vetë në urban për të parë gjendjen konkrete. Ne e falenderojmë Ministrin, i cili krahas verifikimit të gjendjes reale iu drejtua edhe me një shkresë zyrtare njësive të Qeverisjes Vendore për dijeni edhe Prefektëve, për zbatimin e ligjit për shtresat në nevojë.Me keqardhje dua të pohoj se në bazë të verifikimeve tona në terren, aktualisht vetëm Tirana dhe Shkodra nuk e zbatojnë ligjin për transportin e shtresave në nevojë falas. Me këtë rast iu bëj apel të gjitha njësive të qeverisjes vendore, të cilët janë përgjegjësit kryesor për zbatimin e ligjit për shtresat në nevojë, duke ditur se të gjithë operatorët që kryejnë transportin publik lidhin kontratë me njësitë e qeverisjes vendore” tha ai.Shoqata i bën apel Qeverisë të mbrojë të drejtat ligjitime të invalidëve dhe të marrë masa ndaj cilitdo shkelës të ligjeve në fuqi.“Ju bëj apel të gjithe atyre individëve të zgjedhur apo jo, që kryejnë funksione publike, të mos i politizojnë të drejtat tona dhe aq më keq të mos tallen me gjendjen tonë shëndetësore duke na ofenduar, duke na diskriminuar psikologjikisht e fizikisht.I bëjmë apel Qeverisë të mbrojë të drejtat tona ligjitime dhe të marrë masa ndaj cilit do shkelës të ligjeve në fuqi.Shoqata e invalidëve të Punës e Shqipërisë si përfaqësuesja ligjitime e mbi 70 mijë invalidëve të punës në vend, do të marrë të gjitha nismat demokratike në lidhje me mbrojtjen e të drejtave ligjore të invalidëve të punës”.