“Bileta për invalidët”, Veliaj vë Inspektoriatin të hetojë autobuzët, kompanitë rrezikojnë liçensat
Tiranë – Shoqëritë e Transportit Publik, që detyrojnë invalidët të paguajnë biletën dhe do t’i zbrezin ata nga autotobuzët e linjave, rrezikojnë heqjen e liçensës së tyre. Atë që nuk e bën Bashkia e Tiranës, ka marrë përsipër ta bëjë Qeveria duke ndërhyrë me inspektorët e saj.Ministri i Punës, Erion Veliaj ka urdhëruar Inspektoriatin e Punës që të kontrollojë të gjitha linjat e autobuzëve dhe “në ato linja që do të vërehen anomali, kompanitë do të rrezikojnë liçensën.”Ministri Veliaj, gjatë një interviste në media që ka dhënë dje, është shprehur se “Bashkia e Tiranës duhet të kuptojë se çdo privilegj ka edhe përgjegjësi. Prej shumë kohësh, ajo kërkoi të merrte në administrim linjat e autobusëve dhe tani ka gjithë fuqinë që të caktojë çmimin e biletave. Por, sot po shkel një të drejtë kushtetuese, të cilën ligji ua njeh invalidëve si të drejtë për të udhëtuar falas. Ajo që po bën Bashkia, duke zbritur invalidët nga autobusi, së pari është çnjerëzore, dhe së dyti është edhe e paligjshme.Ne nuk mund ta bëjmë Bashkinë më njerëzore, por problemi ynë është pjesa e paligjshmërisë. Çdo licencë e dhënë për autobusët është firmosur nga kompanitë e autobusëve duke parë edhe një pikë, e cila thotë se kjo licencë jepet me njohjen e ligjit që invalidët të udhëtojnë falas. Kjo do të thotë se nëse i zbret nga autobusi, je duke shkelur licencën.”Sipas Veliajt, “operatorët dhe Bashkia kanë bërë qartazi një marrëveshje, që duke i bërë presion Qeverisë me zbritjen e invalidëve nga autobusi, të kenë mundësi të fitojnë më shumë para.Ata duan të marrin grante nga qeveria, si rimbursim për këta njerëz. Por, këtu ka një problem: bileta e autobusit në Berat kushton 100 lek, ndërsa në Tiranë 300 lek. Pra, qeveria qendrore nuk mund të rregullojë çmimin e biletave për çdo bashki sepse kjo është kompetencë e këshillave bashkiakë.Pra, këta njerëz duhet të kuptojnë se kur e do një lodër, duhet të përpiqesh edhe ta mirëmbash atë. Për sa kohë që nuk dinë ta bëjnë këtë, kanë dy mundësi: ose t’ia kthejnë qeverisë qendrore administrimin e transportit urban, ose nëse duan ta mbajnë atëherë ne do të veprojmë. I kam kërkuar Inspektoriatit të Punës që të kontrollojë të gjitha linjat e autobusëve dhe në ato linja që do ta vërejmë këtë anomali, kompanitë do të rrezikojnë licencën,"- ka theksuar ai.ar.sh/Oranews.tv