Lazarati që shpëtoi Saimir Tahirin…

Në momentin kur polici i fundit shkeli parcelën e fundit të hashashit në Lazarat të gjithë nxituan të gjejnë shprehjen më të bukur për të përmbyllur operacionin e suksesshëm të policisë. U tha se ra "republika e turpit", "kalaja e drogës", "Meka e hashashit", apo "strofkulla e krimit" e kushe e di se çfarë tjetër epiteti u përdor. Në fakt me gjithë krijimtarinë e madhe mediatike askush nuk u kujtua të gjente një epitet që shkonte edhe me atë që solli kjo "shembje e së keqes" në adresë të ministrit të Brendshëm. Në këto pak rreshta do mundohem të argumentoj një shprehje që do ti shkonte për shtat post-marrjes së fshatit të drogës nga shteti: Lazarati që shpëtoi Saimir Tahirin.Janë disa argumentat që e jetësojnë këtë shprehje, pasi vetëm një ditë para se të ndizeshin shkëndijat e shtetit përreth Lazaratit, Tahiri ishte ministri më i shënjestruar. Njeriu që nëse qeveria do testohej, do të ngelte në provim. E në fakt ky përfundim nuk ishte krejt pa baza. Nga Italia vinin ankesa për tonelatat e drogës që çanin detin e mbase dhe qiellin me anije e avionë. Greqia përballë "paaftësisë" së policisë shqiptare për të kontrolluar kufirin e gjelbër ishte gati të angazhonte ushtrinë kundër drogës me krahë, mushka e gomerë. Gjermania ankohej se heroina e hashashi po pushtonin zemrën e Europës, apo kokaina që po na rrethonte nga çdo vend fqinj.Saimir Tahiri ishte në shenjestrën e opozitës për kazinotë e mbyllura me policë e të hapura fill më pas pa policë. Për atentatet me tritol që u bënë tmerri i çdo qytetari fund-vitin 2013 apo fillim-vitin 2014. I besuari i Kryeministrit u vu me shpatulla pas murit për "rilindjen" e policisë duke u kritikuar për largimin e specialistëve nga rradhët e uniformave blu dhe emërimin e njerëzve me kontribut politik apo me origjinë nga Tepelena e Kurveleshi i origjinës së tij. Të gjithë këto e kishin vendosur ministrin e Brendshëm në shënjestër të një rulete ruse. Dikush priste vetëm momentin kur në rrutullimin e rradhës, plumbi (politik në këtë rast) do të shkrehej prej folesë së kryeministrit.Aq shumë ishte ngritur besimi se I pari ministër që do t'i "pritej koka" quhej Saimir, jo Ditmir, Nasip apo Ilir e Shkëlqim që nuk përfaqësoinin listën e atyre me përformancë gëzonin buzëqeshjen të udhëheqësit. Tutelimi ende me mandatin e deputetit e bënte edhe më të besueshëm idenë e rrezikimit të karriges për ish-drejtuesin e "Qemal Stafës", duke e justifikuar të qënurit deputet për të sikur një alternativë që nuk e nxirrte në rrugë të madhe.Por ja që në një moment kur askush nuk e priste, I doli flaka Lazaratit dhe duam apo nuk duam, dekorata këtë herë iu vendos vërtet në gjoks Saimir Tahirit. Pak rëndësi ka nëse ai ishte në ballë të "luftës" se në fund të fundit luftën e bëjnë gjeneralët dhe Tahiri i tillë nuk është . Rëndësi ka që atij tashmë po i atribuohet e gjithë merita e marrjes së "republikës së turpit", nga kryeministri "skeptik" deri tek ambasadori amerikan. Rama i kërkoi edhe deputetëve të maxhorancës që t'i kërkojnë falje që "ndoshta nuk besuan dhe me heshtje e kritikuan".E pra për deputetin e Kombinatit, i paracaktuar ministër që më 23 qershor tëvitit të shkuar (plot një vit më pa) erdhi dita që të bëjë disa orë gjumë të qeta, pa merakun se në telefonin e tij do vinin sms kritike nga shefi, apo sulme të hapura nga opozita. Lazarati erdhi në kohën e duhur për ministrin në zgrip të qeverisë Rama. Lazarati erdhi si "shpëtim" për Saimir Tahirin, tani është koha që ai të tregojë se ky shpëtim nuk ishte rastësi. Sa për kritikat duhet të mësohet edhe për disa kohë. Lazarati nuk ua zgjidh të gjitha hallet shqiptarëve. Është vetëm fillimi siç tha Rama, tani fillon më e vështira për ministrin e brendshëm, konfirmimi me Lazaratë të tjerë të rendit e sigurisë që ka Shqipëria.