Lazarati pa kanabis dhe trishtimi i bizneseve në Gjirokastër

Gjirokastër- Lazarati është zgjuar sot ndryshe. Si një ditë pas përfundimit të një “lufte pa viktima”.Nuk dëgjohen më të shtëna, por nëpër rrugë kudo të kap syri gëzhoja. Pas katër ditësh tensioni e frikë për të mos u lënduar asnjë nga shkëmbimet e zjarrit policia mund të vendoset në qendër të Lazaratit me të gjithë mjetet e saj.Aty tashmë ndodhet qëndra operacionale dhe nga nis operacioni i kontrollit të gjithë banesave për asgjësimin e parcelave me kanabis dhe sasitë me lëndë narkotike të stivuara nga vitet e kaluara, pa pasur frikën se mund të qëllohet nga ndonjë pikë e lartë me snajper apo me automatik.Ndërsa postblloqet në Kordhocë dhe në Derviçan nuk janë hequr. Policia vazhdon kontrollet për të arrestuar personat që prej 5 ditësh kanë qëlluar në drejtim të policisë.Në çdo banesë ka vazo të mbjella me kanabis. Madje dhe gomat janë improvizuar si vazo për të kultivuar farën e kanabisit.Po tani si do bëhet, trishtimi i kafeneve dhe karburanteve të Gjiroksatrës?Në Lazarat aty ku njerëzit mbijetonin falë një aktiviteti jo ligjor tashmë është ngritur pikëpyetja: Pas asgjësimit të parcelave me kanabis si do të sigurohen të ardhurat ekonomike. Por kjo pyetje ngrihet edhe për shumë të tjerë të cilët punësoheshin si punëtorë me mëditje, personat që kishin marrë me qera toka në Lazarat apo dhe aktivitete të tjera tregtare të Gjirokastrës të cilat mbaheshin nga prodhimi shitja e kanabisit të fshatit famëkeq.“Të ardhurat që lazaratasit i siguronin përmes kanabisit një pjesë investoheshin në Gjirokastër. Lazaratasit shpenzonin karburant pa fund me makinat e tyre tepër luksoze. Rrobaqepësitë, parukeritë dhe kafenetë ankohen se humbëm një burim të madh të ardhurash” përshkruan situatën në Gjirokastër Brikena Metaj, gazetarja e Ora News.