Përmbytjet në Lezhë lënë pas inertet, nis pastrimi i rrugëve dhe evidentimi i dëmeve

Lezhë- Uji është tërhequr duke lënë pas pasoja në qytetin e Lezhës. Rrugët trotuarët dhe lagjet e këtij qyteti janë mbushur nga inertet dhe mbeturinat e shumta nga vërshimi i ujit mëngjesin e së enjtes.Për të normalizuar situatën janë angazhur Ndërmarrja e Shërbimeve në Bashkinë e Lezhës, duke pastruar inertet, ndërsa dy makina zjarrfikëse kanë ndërhyrë për larjen e rrugëve dhe lagjeve ku ka patur probleme.Nënkryetari i Bashkisë, Pashk Smaçi, e ka konsideruar këtë përmbytje si më të madhen në dy dekadat e fundit, ndërsa ka shtuar se do të vijojë puna deri në normalizimin e plotë të situatës me qëllim që qytetarët të lëvizin pa probleme në rrugët dhe lagjet e Lezhës.Përmbytja ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme në disa biznese që shtrihen në bulevardin "Gjergj Fishta", ku pas largimit të ujit pronarët e tyre kanë nisur edhe verifikimin e këtyre dëmeve, duke kërkuar që pushteti vendor ti dëmshpërblejë ata.Qyteti i Lezhës u përfshi një ditë më parë nga një përmbytje massive, ku niveli i ujit nëdisa zona arriti në 50 cm, duke paralizuar në këtë mënyrë jetën e qytetarëve.