Nis hetimi ndaj administratës, mazhoranca i vjedh me vota, komisionin opozitës

Tiranë - Kuvendi ka miratuar mbrëmjen e sotme me 76 vota,  ngritjen e një komisioni të ri hetimor, këtë radhë për emërimet në administratën shtetërore, propozuar nga opozita dhe riformatuar nga mazhoranca.Burimet zyrtare të Kuvendit njoftuan se "fillimisht u hodh në votim propozimi i Kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi për shtrirjen e periudhës së hetimit që nga viti 2009.Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta bëri të ditur se grupi parlamentar demokrat ka depozituar në Kuvend kërkesën për riformulim të vendimit, por që insiston që të mos zgjerohet periudha gjatë së cilës do të hetojë ky komision i Kuvendit për të verifikuar ligjshmërinë e emërimeve. Ndërkohë,Meta sqaroi se grupi parlamentar i PS-së kërkon që të zgjerohet koha duke pranuar hetimin që nga viti 2009.“Lidhur me këtë çështje unë bëra edhe një konsultë me këshillin e rregullores, duke dëgjuar edhe një herë mendime të ndryshme, lidhur me interpretimin e Rregullores dhe për mënyrën e votimit në këtë çështje. Kështu që jam i detyruar ta hedh në votim kërkesën e bërë nga Ruçi në emër të grupit të mazhorancës”, tha Meta.Në emër të opozitës, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka e cilësoi absurde kërkesën e paraqitur nga grupi socialist.“Kemi një objekt që duam ta hetojmë. Ju na thoni kërkesën e keni bërë ju, por se për çfarë duhet të hetoni e dimë ne. Pra ne kërkojmë komision hetimor dhe se çfarë duhet të hetojmë na e thotë mazhoranca. E vetmja gjë që nuk kemi ndryshuar është periudha e hetimit që ne kërkojmë që të hetojmë nga 2013. Nëse kjo mazhorancë do të hetojë nga 2009-të, le të ngrejë një komision të saj”, deklaroi në emër të grupit parlamentar demokrat, deputeti Edi Paloka.Kryetari i Kuvendit garantoi opozitën se askush nuk do e cenojë objektin e komisionit.Pas deklaratës së Kryetarit të Kuvendit, opozita u largua nga salla, ndërsa amendamenti i propozuar nga grupi parlamentar u miratua me 76 vota pro.Më pas, me 76 vota, u votua edhe projektvendimi “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore”.Në fund u miratua edhe Kalendari 3 javor (13 qershor – 3 korrik 2014) i punimeve të Kuvendit. Seanca i mbylli punimet rreth orës 19:20.Oranews.tv