Meta me Ministrin e Jashtëm të Kuvajtit: Shtysë bashkëpunimit ekonomik
Kryetari i parlamentit Ilir Meta ka mbyllur vizitën e tij zyrtare në Kuvajt. Në ditën e fundit ai është pritur nga Zv. Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shtetit te Kuvajtit Sheikh Sabah Khalid Al-Hamad Al-Sabah.Meta e falenderoi Ministrin e Punëve të Jashtme Sabah për mbështetjen që Kuvajti i jep Shqipërisë si dhe për njohjen e shtetit të Kosovës. Ndërsa Zv. Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shtetit të Kuvajtit Sabah u shpreh se rajoni i Evropës Juglindore përfaqëson një zonë të rëndësishme dhe se Shqipëria si vend mik në këtë kuadër, ka një domethënie të veçantë për Kuvajtin.Meta dhe Sheikh Sabah ndanë bindjen se Komisioni i Përbashkët mes dy qeverive që do të mbahet brenda këtij viti, do t'i japë një shtysë të re intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve si dhe do të forcojë perspektiven e marrëdhënieve afatgjata dypalëshe.Kryeparlamentari Meta u shpreh se investimet kuvajtiane janë të mirëpritura në Shqipëri dhe në rajon. Gjatë qëndrimit të tij në Shtetin e Kuvajtit, Kryetari i Kuvendit u prit gjithashtu nga Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit, nga Kryetari i Autoritetit Kuvajtian për Bujqësi dhe Burimet e Peshkimit si dhe u takua me përfaqësues të Fondit Kuvajtian për Zhvillim.