Rexhep Qosja: Serbia ta njohë Kosovën shtet të pavarur

Akademiku Rexhep Qosja ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë, të karakterizuara prej sjelljeve politike dhe gjoja juridike të EULEX-it e dhe  të sjelljeve të UNMIK-ut, ndaj komandantëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre, duke i quajtur ato si  shumë "revoltuese dhe shumë dëshpëruese".Ai ka vlerësuar se marrëveshja e 19 prillit në Bruksel mund të quhet vetëm hap i parë në përpjekjet e faktorëve ndërkombëtarë, para se gjithash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.Qosja është i mendimit se marrëveshja e arritur në bisedimet e Brukselit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, për Kosovën ka dy të mira dhe një të keqe. Në këtë kontekst, akademik Qosja e ka vlerësuar rolin e kryeministrit Hashim Thaçi.“Jam shumë i sigurt se të gjithë ata që po e kritikojnë Hashim Thaçin për këtë marrëveshje, duke përfshirë këtu edhe ata që i lejojnë vetes ta quajnë tradhtar, po të ishin protagonisti kryesor shqiptar në ato bisedime, do të bënin atë që e ka bërë Hashim Thaçi."Do të bënin atë që e ka bërë Hashim Thaçi dhe do të ishin shumë të kënaqur me veten e tyre. I lejoj vetes të them, madje se në bisedimet Prishtinë - Beograd të Brukselit ata, kritikët e Hashim Thaçit, do të ishin më pak të suksesshëm se ai në ato bisedime”, ka thënë Qosja.Në një intervistë për "EPOKA E RE", akademiku Qosja ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, përkatësisht për arrestimin e ish-komandantëve, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe disa ish-ushtarëve të UÇK-së.“Zhvillimet e fundit në Kosovë, të karakterizuara prej sjelljeve politike dhe gjoja juridike të EULEX-it e, para EULEX-it të sjelljeve të UNMIK-ut, ndaj komandantëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre, janë shumë revoltuese dhe shumë dëshpëruese. Ndaj komandantëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, shumë gjatë është ushtruar terror i vërtetë prej UNIMIK-ut dhe EULEX-it. Dhe, në fund që të dy janë liruar të pafajshëm, kurse as UNMIK-u, as EULEX-i nuk e kanë quajtur të nevojshme të japin kurrfarë llogarie pse ngrenë akuzë kundër të pafajshmëve, madje as të kërkojnë falje për gabimin e vet. Tani 14 vjet pas luftës EULEX-i ka vendosur t’ia nënshtrojë terrorit dy komandantë të tjerë, shumë të popullarizuar të UÇK-së, Sylejman Selimin dhe Sami Lushtakun!”, ka thënë Qosja.Ai është shprehur i bindur se në radhët e EULEX-it ka edhe proserbë.“E them plotësisht i bindur se në radhët e EULEX-it ka proserbë, të ardhur si proserbë në Kosovë apo të bërë proserbë mbas ardhjes në Kosovë. Nuk mund ta quaj jurist të paanshëm, jurist objektiv, në të vërtetë nuk mund të mos e quaj proserb kryeprokurorin e EULEX-it, Mauricio Salustron. Atij, natyrisht, nuk i shkruan në ballë se është proserb, por akuzat e tij kundër komandantëve të UÇK-së, me përmbajtjen e tyre tragjikomike, dëshmojnë se me to ai do të donte t’i bënte qejfin dikujt. Kujt? Natyrisht Serbisë!”, ka deklaruar akademik Qosja.Intervista e akademikut Rexhep Qosja

Profesor, po mbushen 15 vjet qëkur në Kosovë u vendos liria nga pushtimi i Serbisë së Millosheviqit. Pra, pas qershorit të vitit 1999, në Kosovë u krijua një realitet i ri, sidomos pas vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë. Rruga deri sot ku është Kosova nuk ka qenë e lehtë. A jeni ju të kënaqur me zhvillimet gjatë gjithë kësaj periudhe? A mund të ishte më ndryshe, më mirë se kjo që është arritur deri tani?Pra, cili është bilanci i këtij rrugëtimi që ka bërë Kosova?
Qosja: Kosova nuk ishte e pushtuar vetëm që nga koha e Sllobodan Millosheviqit. Kosova ishte e pushtuar që nga viti 1912, kur në Serbi kishte shumë, shumë Millosheviqa të tjerë, jo më pak shtypës dhe gjakatarë ndaj shqiptarëve sesa Millosheviqi i kohës sonë. Rruga që ka bërë Kosova gjatë këtyre viteve, prej qershorit 1999, kur u çlirua prej pushtimit serb, vërtet nuk ishte e lehtë. Së pari duhej të bënte ç’mund të bëhej për të përballuar apo, e thënë më saktësisht, për ta pakësuar morinë e të këqijave që kishte shkaktuar pushtimi shumëvjeçar dhe, së dyti, duhej përballuar vështirësitë e shumta që kishte në jetën e kosovarëve pas çlirimit. Pamja e Kosovës, megjithatë, është dukshëm më e mirë se ndonjëherë në historinë e saj. Prej të zgjedhurve në zgjedhjet, në të cilat ishin të përmbajtura veprime të ndryshme të ndershme e të pandershme, të vërteta e mashtruese, të lira e dhunëtare, janë bërë përpjekje për ta ringjallur jetën shoqërore, ekonomike, po jo edhe kulturore, por këto përpjekje nuk mund të thuhet se ishin gjithnjë përkatëse dhe gjithnjë të bëra me mençuri e me ndershmëri. Disa nga të arriturat gjatë këtyre 15 vjetëve janë errësuar, madje janë komprometuar në masë të madhe, prej disa të këqijave që vazhdojnë të ndodhin në jetën tonë. E këto të këqija janë: blerja, në të vërtetë përvetësimi për pak marka e më vonë për pak euro i pasurisë dikur e quajtur shoqërore a shtetërore, korrupsioni aq i madh dhe aq agresiv saqë duket e pamundur lufta kundër tij sot, pasurimi tmerrësisht i shpejtë, në asnjë mënyrë i arsyeshëm dhe pamundshëm për arsyetim, i zyrtarëve të lartë politikë e shtetërorë, që po i rëndon ata, që do t’i rëndojë ata dhe pasardhësit e tyre gjithmonë, sot dhe nesër, nepotizmi, që po e komprometon mentalitetin tonë, duke e bërë të krahasueshëm me mentalitetin fisnor, sjelljet e vrazhda, shpërfillëse ndaj votuesve të një numri prijësish partiakë dhe zyrtarësh të të gjitha niveleve shtetërore, në të cilat sjellje është i përmbajtur një despotizëm tipik oriental, shpërfillja e pakuptueshme, dëmsjellëse në rrugë të gjatë, historike, e shkencave, arteve, e krijimtarisë shpirtërore, e kulturës në përgjithësi. Këto ditë po i dëgjoj prijësit partiakë duke e bërë çirak popullin me premtimet, në të vërtetë me mashtrimet e tyre, por në fjalorin e asnjërit prej tyre nuk ekzistojnë fjalët shkencë, arte, kulturë! Se mund të ishte dhe se do të duhej të ishte më ndryshe në pjesën e saj më të madhe politika e Kosovës pas çlirimit të saj është e qartë. Dhe do të ishte më ndryshe, do të mund të ishte më ndryshe, sikur prijësit partiakë e shtetërorë të mos ishin rrethuar me të përzgjedhurit e tyre servilë, që ua aminojnë atyre të gjitha të bërat e të pabërat!
Historia e konflikteve ballkanike është mjaftushmërisht e njohur, ndoshta dhe tejet e trajtuar saqë është kthyer në njollën e përbashkët të “Ballkanit si fuçi baruti” apo vendit të copëtimeve e grindjeve. Pra, Ballkani e ka treguar luftën shumë më të lehtë sesa paqen! Por ky vit, viti 2014, është një vit i parë që Ballkani nuk ka konflikte të hapura. Jeni optimist që do të kemi sot e tutje vërtet një Ballkan të paqtë dhe popujt mes vete kanë nxjerrë mësimin nga e kaluara?
Qosja: Historia e konflikteve mes shteteve e popujve të Ballkanit është e njohur, por nuk do të thosha se është mjaftueshëm e trajtuar as prej vetë ballkanasve e as prej të tjerëve - prej evropianëve e amerikanëve. Në një pjesë të madhe të rasteve historia e popujve dhe e shteteve të Ballkanit është njëanshëm e trajtuar, shpesh qëllimisht e falsifikuar në dobinë e atyre që e shkruajnë dhe në dëmin e fqinjëve. Në mënyrë të veçantë është njëanshëm e trajtuar, qëllimisht e falsifikuar, qëllimisht e rrejshme historia e serbëve dhe e Serbisë, e maqedonëve dhe e Maqedonisë, deri-diku edhe e malaziasve dhe e Malit të Zi apo e grekëve dhe e Greqisë, që e kanë shkruar serbët, maqedonët, malaziasit, grekët apo miqtë e tyre evropianë. Të gjithë ata, fjala vjen, i kanë pushtuar tokat shqiptare dhe këto pushtime edhe sot e gjithë ditën i arsyetojnë me gënjeshtra dhe i quajnë të ligjshme! Nuk duhet të harrohet dhe nuk duhet të heshtet se konfliktet e popujve të Ballkanit dhe, mandej, të shteteve ballkanike shpesh janë bërë në regjinë e fuqive të mëdha evropiane. Mund të thuhet se në të gjitha dhembjet e mëdha historike që Serbia, Mali i Zi dhe Greqia i kanë shkaktuar popullit shqiptar, sidomos prej Krizës Lindore e këndej, kanë marrë pjesë këto fuqi të mëdha evropiane, në mënyrë të veçantë Rusia me bashkëpajtimin e Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.
Ju po thoni se tani, në vitin 2014, në Ballkan nuk ka konflikte. Dhe vërtet nuk ka konflikte me armë, por nuk mund të thuhet se nuk ka mospajtime të konfliktshme politike e publicistike! A jam optimist që tani e tutje do të kemi një Ballkan paqësor? Në kohë të shkurtër jam optimist, por në kohë të gjatë, historike, nuk jam optimist se do të kemi një Ballkan vërtet paqësor. Thelbi i mosmarrëveshjeve, i politikës dhe i psikologjisë së konflikteve ballkanike, qëndron në Serbi dhe në Greqi. Serbia që ia ka mbushur vetes mendjen që në Mesjetë se është popull qiellor vështirë pranon ta trajtojë veten popull vërtet tokësor. Si popull “qiellor” ajo kërkon t’i takojë edhe çka as historikisht as etnikisht nuk i takon. Ashtu edhe grekët, si popull që ia ka dhuruar Evropës kulturën dhe qytetërimin madhështor antik grek, mendojnë se pikërisht për këtë arsye u takon më shumë se të tjerëve në Ballkan, më shumë se që u ka takuar dhe se që u takon historikisht dhe etnikisht. Të dy këta popuj – serbët dhe grekët e kanë të vështirë, në mos të pamundur, të lirohen prej mitologjisë mesjetare – serbët dhe prej mitologjisë antike – grekët. Mendja ime, mjerisht, nuk mund ta imagjinoj Ballkanin në historinë e ardhshme pa konflikte të tjera. Por, a do të përgjaket edhe herë të tjera në historinë e tij Ballkani, në masë të madhe do të varet prej Evropës: prej çështjes më të madhe evropiane – a do të kemi Bashkim Evropian apo Evropë çfarë po e ëndërron e djathta e sotme ekstreme evropiane, e ringjallur, siç po e shohim, në Francë, në Greqi, në Britani të Madhe, në Gjermani e në disa shtete të tjera më të vogla se këto! Në Ballkan vështirë harrohet ajo që është mirë të harrohet dhe vështirë mësohet ajo që duhet të mësohet!
Lidhur me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë pati një hap drejt një raporti mes dy vendeve. Dialogu dhe marrëveshja e arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit tregoi se tashmë për politikën serbe Kosova është jashtë Serbisë. Madje, sipas sondazheve, mbi 60 % e të anketuarve serbë pranojnë që Kosova është shtet i pavarur. Por çfarë ndodh mes dy popujve të këtyre vendeve në ndërkohë Profesor? Si mund të bashkëpunojnë ata nëse ekziston ende një urrejtje mes vete? Ju nga përvoja që keni nga e kaluara si shkencëtar, studiues, shkrimtar, si e shihni të ardhmen e marrëdhënieve me Serbinë, bashkëpunimin me këtë vend fqinj?
Qosja: Siç dihet, punët e shteteve, marrëdhëniet ndërmjet shteteve nuk i përcaktojnë të anketuarit, pavarësisht prej numrit të tyre, e kjo do të thotë se punët e shteteve, marrëdhëniet ndërmjet shteteve nuk i përcaktojnë popujt e tyre, por të ashtuquajturat elita, më e drejtë është të thuhet, të ashtuquajturat klasa politike. Nuk e përdori lehtë e me qejf nocionin elitë sepse elitë vetvetiu e nënkupton vlerën e në politikë nuk gjejmë shpesh vlera. Në Serbi jo një pjesë e popullit po i gjithë populli dhe të gjithë zyrtarët i kanë sytë në ballë dhe e shohin se Kosova është shtet, shtet i njohur ndërkombëtarisht prej shumë shteteve, madje edhe prej disa shteteve të mëdha e me prestigj më të madh në botë. E gjithë kjo nuk e pengon Serbinë të mos e njohë këtë shtet! E gjithë kjo, madje, nuk e pengon Serbinë zyrtare të ëndërrojë se një ditë do ta rikthejë Kosovën nën pushtimin e saj - të Serbisë!
Urrejtje mes serbëve dhe shqiptarëve ka mjaft edhe sot. Dhe kjo urrejtje nuk do të shuhet, mjerisht, derisa të vazhdojnë disa politika serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve dhe derisa të mos sqarohen disa çështje të krijuara në kohë të luftës së fundit. Këto urrejtje nuk do të shuhen derisa të nxirren në gjyqe pjesëtarë të UÇK-së të akuzuar edhe për disa shuplaka që ia paskan dhënë në kohë të luftës ndonjë hafije a ndonjë pushtuesi; derisa të bëhen përpjekje të formohen gjykata të veçanta për pjesëtarët e UÇK-së, që kanë bërë luftë mbrojtëse e jo për ushtarët, policët e paramilitarët serbë që kanë bërë luftë pushtuese, derisa të mos nxirren në gjyqe në Serbi a në Hagë ushtarët, policët, paramilitarët serbë që kanë masakruar gjithë ata civilë shqiptarë dhe gjithë ato familje shqiptare në Kosovë; derisa të mos ia kthejë Serbia Kosovës të gjitha mbetjet e të gjithë shqiptarëve të vrarë e të masakruar gjatë luftës, që gjenden në gropa kolektive në Serbi, për vendin e të cilave pushteti serb ka dije të sigurta. E të tjera.
Nuk ka dyshim se Serbia nuk mund t’i çojë shqiptarët në skaj të planetit të Tokës a në ndonjë planet tjetër! Nuk ka dyshim se as shqiptarët nuk mund t’i çojnë serbët diku në skaj të Toskës a në ndonjë planet tjetër. Kosova dhe Serbia, shqiptarët dhe serbët, do të jenë fqinjë gjithmonë. Kështu për ta e kanë vendosur gjeografia dhe historia. Për këtë arsye Serbia dhe Kosova, Serbia dhe Shqipëria, serbët dhe shqiptarët, duhet të bëjnë çka duhet të bëhet sot, të bëjnë çka është e mundshme të bëhet për të mirën e tyre që t’i zgjidhin çështjet që presin të zgjidhen, që Serbia, si kusht për zgjidhjen e atyre çështjeve që presin të zgjidhen, ta njohë Kosovën shtet të lirë e të pavarur. Vendosja e marrëdhënieve normale shtetërore ndërmjet këtyre dy shteteve do të bëhej bazë e fillimit të vendosjes së marrëdhënieve normale ndërmjet dy popujve: ndërmjet popullit serb dhe popullit shqiptar. Nuk them se mund të harrohet e kaluara, por them se e kaluara, pas zgjidhjes së atyre çështjeve, nuk duhet të vendosë për të sotmen dhe të ardhmen mes tyre.
Si Kosova edhe Serbia apo Shqipëria janë vende që aspirojnë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Por një rol të madh ka edhe edukimi i rinisë në rrugën e integrimit evropian që fillon në bankat e shkollës. Për fat të keq, kjo rini po e njeh historinë e vendit të saj nëpërmjet teksteve që kanë një gjuhë që nuk është shkencore dhe faktet nuk paraqiten në mënyrë shkencore. Madje kjo po kontribuon në urrejtjen mes këtyre vendeve. Cili është mendimi juaj për këtë? A po punojnë sa duhet institucionet në Kosovë për të pasur një rini të shëndetshme që do ta marrë në duar fatin e Kosovës së ardhshme evropiane?
Qosja: Tekstet shkollore dhe universitare historike dhe jo vetëm historike, në vendet ballkanike nuk janë të liruara prej shpërdorimit, keqtrajtimit, falsifikimit të fakteve historike; në to jo rrallë faktet nuk paraqiten, nuk shpjegohen dhe nuk vlerësohen në mënyrë vërtet shkencore. Tekstet e tilla e mbajnë të gjallë mosdurimin, madje e nxisin urrejtjen ndërmjet popujve: tekstet e tilla, në të cilat janë ashtu të përmbajtura mosdurimet dhe urrejtjet, nuk mund të edukojnë rini të emancipuar, humaniste, me kulturë e qytetërim bashkëkohor. Është shumë e nevojshme, është kërkesë e kohës në të cilën jetojmë, aq më shumë është kërkesë e së ardhmes që e dëshirojmë, që tekstet e tilla në krejt vendet ballkanike, që tekstet e tilla ende të përdorura në Serbi, në Kosovë dhe në Maqedoni të ndryshohen, të përmirësohen a të hiqen krejt prej përdorimit e të shkruhen tekste, vërtet shkencore, të shkruhen tekste në të cilat të vërtetat historike do të thuhen, por pa mosdurimet, pa urrejtjet që kanë cenuar shkencërisht dhe etikisht tekstet e deritanishme.
Marrë nga "EPOKA E RE"