Shkarkimi i Xhukës në Kushtetuese, PD: Kuvendi po vonon qëllimisht seancën
Tirane- Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se po tenton të zvarrisë çështjen e ILDKP-së në Gjykatën Kushtetuese, duke bojkotuar seancat gjyqësore. Sipas deputetit, Oerd Bylykbashi, mazhoranca ka shkelur në mënyre flagrante ligjin themelor të shtetit, ndërsa tani i fshihen përballjes me Gjykatën Kushtetuese.“ Jemi vetëm përpara një tentative bllokuese nga ana e Kuvendit , tentativë për të bllokuar gjykatën Kushtetuese për të marrë në shqyrtim kërkesën e PD. Ne konsiderojmë se është një çështje e rëndësishme dhe urgjente, është shkelur Kushtetuta në mënyrë flagrante dhe s’ka ndodhur kurrë më parë dhe për rrjedhojë kërkuam dhe vazhdimin e gjykimit. Është e papranueshme për publikun që të shkelet Kushtetuta dhe më pas të përpiqesh ti fshihesh gjykatës Kushtetuese , siç bëri sot mazhoranca nëpërmjet këtij bllokimi që i bëri seancës” tha Bylykbashi.Deklarata e deputeti demokrat erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shtyrjen në 26 qershor, të shqyrtimit të kërkesës së Partisë Demokratike për të shpallur të papajtueshëm me Kushtetutën, proceduren e ndjekur nga parlamenti për shkarkimin e kryetares se ILDK-së Zana Xhuka dhe zëvendësimin e saj me Shkëlqim Ganajn.Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja tha se"Përfaqësuesit juridik të Parlamentit i kishin dërguar një letër ku argumentonin mos prezantimin e tyre në seancë, pasi si përfaqësuesi ligjor i emëruar nga Kuvendi ashtu dhe sekretarja e përgjithshme ishin jashtë shtetit dhe për këtë arsye kërkonin shtyrjen e seancës".Kreu i Gjykatës Kushtetuese tha se kjo kërkesë nuk qëndronte, por për efekt të dëgjimit të palëve do të shtynte seancën për më 26 qershor.Përfaqesuesit e Parlamentit me anë të një shkrese kanë kërkuar shtyrjen e seancës me arsyetimin se ata ndodhen me shërbim jashtë vendit.