Emiri i Katarit-Nishanit: Bashkëjetesa fetare në Shqipëri, model për gjithë botën
Presidenti Bujar Nishani i ndodhur në Katar duke marrë pjesë në forumin “SH.B.A. – Bota Islame” ka marrë vlerësime për harmoninë fetare. Emiri i Katarit, Sheik Tamin Bin Hamad Bin Khalifa Al Thani është shprehur se “harmonia dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri përbëjnë një eksperiencë, e cila i duhet bërë e njohur gjithë botës si model për t’u ndjekur”.Më tej Emiri i Katarit tha se Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për Katarin dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të forcohen më tej. “Duam të investojmë në Shqipëri dhe jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në të gjitha format.”Nga ana e tij Presidenti Nishani, pasi e falenderoi Emirin e Katarit për ftesën dhe mikpritjen, tha “se Shqipëria dhe shqiptarët ndiejnë mirënjohje për Katarin dhe Lartësinë e Tij për mbështetjen dhe ndihmesën e dhënë dhe i kërkoi bashkëbiseduesit që ta konsiderojë Shqipërinë si vend kontribues dhe mbështetës për çdo nismë të kësaj natyre.”
Gjithashtu Presidenti nënvizoi se ka ardhur koha që bashkëpunimi mes dy vendeve tona dhe projektet e përbashkëta të konkretizohen në praktikë. “Kam qenë gjithmonë dëshmitar i vullnetit tuaj për të na mbështetur dhe mbetem i bindur se do të na mbështesni edhe me shkëmbim përvoje teknike”, vuri në dukje Presidenti.Në përfundim Kryetari i Shtetit shprehu edhe vlerësimin e lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit ndaj kombit shqiptar në përgjithësi si dhe ndaj Kosovës në veçanti.