Statusi, Shqipëria vazhdon lobimin, Bushati në Vienë

Austri - Diplomacia shqiptare vijon lobimin për mbështetjen e Shqiëprisë në rrugën integruese. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nga Konferenca "Ballkani Perëndimor 2014" u ka përçuar edhe një here, vendeve anëtare të BE-së, mesazhin e domosdoshmërisë së zgjerimit të BE-së."Në konditat aktuale, zgjerimi i BE-së është një projekt i një rëndësie gjeopolitike", u shpreh ministri Bushati, duke shtuar se "rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është ende një rajon i mirëfilltë nga pikëpamja ekonomike, sidomos për sa i përket interkonjeksioneve energjetike dhe infrastrukturore. Ka ardhur koha kur të gjitha vendet e rajonit e ndjejnë nevojën e krijimit dhe konsolidimit të një tregu rajonal".Siç njofton zyra për shtyp e Ministrisë së Punëve të Jashtme, edhe pjesëmarrësit në konferencë u shprehën mbi rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, në fund të muajit qershor.Në fjalën e tij në takim, Ministri Bushati, pasi theksoi vullnetin e Qeverisë Shqiptare për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm me vendet anëtare të Nismës së Evropës Qendrore, nënvizoi gatishmërinë e palës sonë për të qenë pjesëmarrës aktivë në projektet dhe aktivitetet e organizatës në fushat prioritare, si: transport, energji, turizëm, kulturë, mbrojtje e mjedisit, etj.Në kuadër të përgatitjeve lidhur me 25 vjetorin e CEI-t, z. Bushati, nënvizoi se ky përvjetor duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të evidentuar çka është arritur dhe për të përcaktuar rrugën në të cilën do të ecet në të ardhmen. Shqipëria, vuri në dukje ai, mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e saj gjatë këtij procesi.Takimi i Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore (CEI) miratoi një deklaratë politike. Në deklaratë theksohet se ministrat mirëpresin një vendim pozitiv të Këshillit Evropian në qershor, lidhur me statusin kandidat për Shqipërinë.Konferenca "Ballkani Perëndimor 2014", zhvillohet në kuadër të kryesisë austriake të Nismës së Evropës Qendrore. Në të merrnin pjesë Komisioneri për Zgjerimin në BE , Stefan Fyle, ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Italisë, z. Venizelos dhe znj. Mogherini - në emër të presidencës aktuale dhe të ardhshme të Këshillit të Bashkimit Evropian, ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit, ata të grupit të Vishegradit si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale.