Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit do të mbështesë projekte të Bashkisë së Tiranës
Tiranë- Me mbështetjen e Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve, në dy hyrje të Liqenit Artificial janë vendosur pistona elektronik për të ndaluar hyrjen e makinave. Ky është vetëm njëri prej projekteve që Bashkia e Tiranës do të realizojë në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit - tha kryebashkiaku Lulzim Basha.“Ky është një donacion i Fondacionit me anë të së cilit që sot e tutje, bëhet kontrolli automatik i zonës për të penguar hyrjen e automjeteve, me përjashtim të disa automjeteve shërbimi. Prania e automjeteve shpesh ka qenë burim problematikash, incidentesh, pakënaqësish. Natyrisht, Policia Bashkiake ka pasur detyrën t'i kontrolloj dhe ta ulë në maksimum përdorimin e automjeteve në park. Tashmë, kjo është e kontrolluar automatikisht dhe gjej rastin ta falenderoj z. Granoff edhe për këtë investim.Ky është fillimi i një pakete investimesh për të gjithë zonën e parkut nga Bashkia e Tiranës, që ka për qëllim të përmirësojë parametrat dhe t'a bëjë hapësirën e Parkut të Tiranës sa më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës. Me Fondin Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve dhe me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Bashkia e Tiranës ka disa projekte. Rikualifikimi i sheshit "Avni Rustemi" është një nga projektet që po studiojmë aktualisht, sikundër dhe projekti i zonës muzeale të Kalasë së Tiranës, të dyja këto projekte janë në shqyrtim e sipër. Pas miratimit do të fillojnë punimet”.Granoff ka shprehur gadishmërin për të mbështetur Bashkinë e Tiranës edhe në projekte të tjera siç është dhe shtimi i hapsirave të gjelbra.“Njerëzit thonë - "Se gjelbërimi krijon frymëmarrje për qytetin" dhe unë shpresoj se duke ndihmuar që të mbajmë larg makinat, të shtojmë kënaqësinë e njerëzve që të kenë më shumë hapësira të gjelbra dhe këto hapësira të gjelbra të mbrojtura, të krijojnë një frymëmarrje për qytetin. Ndaj, unë mendoj se ky është një fillim i mbarë dhe unë jam shumë i lumtur që sëbashku me kryetarin e Bashkisë të ndihmojmë në shtimin e hapësirave të gjelbra” - deklaroi Granoff.