PS paraqet propozimet për përmirësimin e ekonomisë
Një ditë para se Kuvendi i Shqipërisë të miratojë paketën fiskale, PS ka propozuar një paketë me 10 pika për përmirësimin e situatës ekonomike në vend.Zhvillimi rural, sipërmarrja, buxheti familjar dhe taksimi progresiv, janë shtyllat mbi të cilat ngrihen propozimet e socialistëve dhe që orientohen në uljen e disa taksave dhe çmimeve.Fund taksimit të sheshtë dhe taksim të drejtë progresiv për një shpërndarje të drejtë të të ardhurave, është kryefjalë e propozimit të socialistëve.Për bujqësinë, deputetja Mimi Kodheli propozoi uljen e kostove të punimit të tokës dhe uljen e çmimit të naftës me 44.4 lekë për litër.“Bujqësia po vuan sot nga kostot tejet të larta dhe të papërballueshme për fermerin shqiptar. Partia Socialiste është e vendosur që të çojë deri në fund propozimet e saj për të këtë sektor jetik. Propozimi i PS-së është heqja e akcizës për naftën dhe kjo do të thotë që 1 litër nafë të bëhet 135.6 lekë. Propozim tjetër është ulja e imputeve të tjera të produkteve të bujqësisë dhe heqja e TVSH-së për plehrat kimike” tha Kodheli.Sa i përket sipërmarrjes, socialistët kërkojnë që të përjashtohen nga TVSH për makineritë dhe paisjet të gjitha sipërmarrjet dhe jo vetëm ato që kanë investuar mbi 50 mln leke, siç propozon qeveria.“Biznesi i vogël është në falimentin dhe kreditë e këqija janë rritur me ritme të frikshmë dhe këto e bëjnë që biznesi të përjetojë krizën që është ulur këmbëkryq në ekonominë shqiptare. Propozimi ynë është heqja e gjobave” shtoi Kodheli.Ndërsa buxhetin familjar PS do ta lehtësoje përmes uljes së çmimit të energjisë elektrike dhe perjashtimin nga TVSH të barnave e shërbimeve shëndetësore.Kodheli kërkoi angazhimin e mazhorancës në Kuvend për të shqyrtuar me seriozitet propozimet e Partisë Socialiste.“PS-ja ka sjellë këto 10 propozime me shpresën që ato do të diskutohen në mënyrë profesionale në Kuvend në mënyrë që në 1 janar shqiptarët të mund të lehtësohen nga barra e rëndë e taksave që po mbysin si bizneset shqiptare ashtu edhe familjet shqiptare” përfundoi Kodheli.