Ndryshimet në buxhetin e 2012, diskutohet në Komisionin e Ekonomisë

Komisioni i Ekonomisë diskuton aktin normativ që rishikon buxhetin e shtetit 2012. Sipas vendimit të qeverisë, defiçiti buxhetor rritet me 7.2 miliardë lekë të tjera nga 41.1 miliardë që ishte parashikuar në buxhet në 48.3 miliardë lekë me aktin normativ. Nga ana tjetër opozita e kundërshton këtë akt, pasi pretendon se është rritur borxhi publik.Ndërhyrja e qeverisë në buxhet është e diktuar nga mosrealizimet në mbledhjen e të ardhurave.E gjendur në këtë situatë dhe në pamundësi për të shkurtuar shpenzime të tjera, qeveria është detyruar të rrisë defiçitin.Me këtë vendim borxhi publik i vendit shkon në 61 për qind që në fund të këtij viti, nga 59.9 që ishte llogaritur fillimisht në buxhet dhe 60.5 më vonë, kur qeveria u detyrua të financonte importin e energjisë.Rritja në 61 për qind e borxhit publik që në fund të këtij viti, së pari hap një debat ligjor, pasi opozita pretendon se kufiri ligjor i borxhit është shkelur para se të miratohej ligji që hoqi tavanin.