Priten protesta në Ukrainë, ushtria rrethon qytetin e Slovianskut

Ukrainë- Tensionet mbeten të larta në Ukrainë, pas vrasjes se më shumë se 40 pro-rusëve në Odesa dhe qytete jugore të vendit.Trupat ukrainase kanë rrethuar separatistët pro-rusë në qytetin lindor të Slovianskut, ndërsa banorët i druhen një ofensive.Por për momentin objektivi i Kievit është rimarrja nën kontroll e ndërtesave qeveritare në qytetet më të vogla rreth Slovianskut.Grupet proruse kanë reaguar ashpër pas vdekjes së dhjetëra separatistëve një zjarrin që përfshiu godinën e sindikatave në qytetin e Odesas në jug të vendit, ndërsa janë paralajmëruar protesta masive.Ushtria pretendon se ka në dorë pikat hyrëse të qyteteve rebele dhe ka hequr barrikadat nga rrugët kryesore.Ministria e Brendshme e Ukrainës ka thënë se forcat e saj kanë rimarrë ndërtesën e shërbimit të sigurisë në qytetin Kramatorsk si edhe aeroportin.Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov tha se operacionet ushtarake kundër pro-rusëve kanë rinisur qysh herët në mëngjes.Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, kanë folur në telefon për përshkallëzimin e krizës në Ukrainë.Kerry ka mirëpritur lirimin e shtatë vëzhguesve të OSBE-së, të cilët janë mbajtur peng nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, por ka thënë se është e rëndësishme që Rusia të tërheqë mbështetjen për separatistët që kanë uzurpuar ndërtesa qeveritare në lindje.Lavrov nga ana e tij, ka thënë se Uashingtoni duhet të përdorë ndikimin te Kievi për të ndaluar ofensivën ushtarake kundër rebelëve.Ai po ashtu ka bërë thirrje për një rol më të madh të vëzhguesve të OSBE-së, në përpjekje për të zbatuar marrëveshjen e Gjenevës.