Incidenti në Ukrainë vë në pikëpyetje marrëveshjen me Rusinë

Incidenti vdekjeprurës në Ukrainën lindore ka vënë në pikëpyetje suksesin e marrëveshjes mes Rusisë, Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që u arrit me synimin për të qetësuar tensionet në pjesën lindore të Ukrainës. Zyrtarët thonë se një shkëmbim zjarri në një pikë kontrolli të drejtuar nga separatistët pro - rusë ka shkaktuar vdekjen e të paktën një personi.Disa njoftime thonë se janë vrarë katër vetë, duke përfshirë edhe separatistë. Megjithë paqartësitë për incidentin në një pikë kontrolli ku veprojnë separatistët pro-rusë, të shtënat prishën armpushimin e Pashkëve dhe duket se kanë dërrmuar edhe shpresat për një përfundim të shpejtë të tensioneve:Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, akuzoi sot Ukrainën për shkeljen e deklaratës së Gjenevës, duke thënë se Ukraina nuk po vepron sipas kushteve të përcaktuara në takimin e para disa ditëve në Gjenevë.Gjatë një konference për mediat Lavrov i ka dënuar të shtënat vdekjeprurëse në afërsi të qytetit lindor të Ukrainës, Slovyansk. Fajin për këto të shtënë, sipas tij, e kanë mbështetësit e qeveritarëve të rinj në Kiev.Lavrov ka hedhur poshtë pretendimet se një sasi e madhe e armëve ruse, janë duke u përdorur nga pro-rusët në Ukrainë.Ai me këtë rast iu referua mediave ruse, të cilat kanë thënë se pro-rusët në Slovyansk, të dielën kanë përdorur armë amerikane.Ndërkaq kryeministri i Ukrainës Arseniy Yatsenyuk bëri komente për emisionin Meet the Press të rrjetit NBC në Shtetet e Bashkuara:"Presidenti rus Vladimir Putin ushqen ëndrrën për të ringjallur Bashkimin Sovjetik. Cdo ditë ai shkon një hap më tutje dhe një Zot e di se ku do të dalë fundi”.Kryeministri kërkoi që Moska të miratojë një politikë të mospërfshirjes në punët e vendit të tij:"Rusët kanë vendin e tyre. Ne kemi vendin tonë. Nëse Rusia tërhiqet, ne do të kemi një Ukrainë të bashkuar, me intgritet territorial, sovrane dhe të pavarur”.Disa ligjvënës amerikanë po i bëjnë thirrje administratës të marrë masa për t’i bërë presion Rusisë. Në komentet për rrjetin NBC, Senatori republikan Bob Corker tha se sansionet nuk kanë pasur ndikim mbi Moskën.Administrata Obama ka përjashtuar mbështetjen e Kievit me pajisje luftarake dhe ka thënë se është gati të zgjerojë sanksionet ekzistuese kundër Rusisë si dhe të miratojë masa të tjera ndëshkimore