SHBA dhe BE gati për sanksione të reja ndaj Rusisë
Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti Barack Obama dhe udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë janë pajtuar që të koordinojnë hapat për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.Deklarata e Shtëpisë së Bardhë thotë se liderët janë dakorduar gjatë një tele-konference se Rusia ka vazhduar të përshkallëzojë situatën përmes retorikës gjithnjë e më problematike dhe stërvitjeve ushtarake në kufi me Ukrainën.Deklarata po ashtu akuzon Moskën se nuk mbështet publikisht Marrëveshjen e Gjenevës. Ajo thotë se Rusia nuk iu ka bërë thirrje grupeve të armatosura pro-ruse që të dorëzojnë armët dhe të lirojnë ndërtesat qeveritare që kanë uzurpuar - gjë që parashihet me marrëveshje.Merkel, duke folur në Berlin pas një takimi me kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk, ka thënë se Rusia ka fuqi për të bindur separatistët pro-rusë për të liruar ndërtesat qeveritare, që kanë uzurpuar në lindje të Ukrainës.Por, ajo ka thënë se përpjekjet e Moskës për të sjellë separatistët në “rrugë paqësore” mungojnë.Ndërkohë kryeministri ukrainas Arseny Yatseniuk akuzoi Rusinë se synon të fillojë një Luftë të Tretë Botërore duke pushtuar Ukrainën "ushtarakisht dhe politikisht". Zoti Yatseniuk i bëri komentet në një mbledhje të kabinetit."Agresioni ushtarak i Rusisë në territorin e Ukrainës do të çojë në një konflikt ushtarak në Evropë. Bota nuk e ka harruar ende Luftën e Dytë Botërore, por Rusia dëshiron të fillojë tani Luftën e Tretë Botërore," tha zoti Yatseniuk.Ai akuzoi Moskën se po vepron si një "gangster" duke mbështetur "terroristët". Këto janë komentet më të ashpra të bëra deri tani nga zoti Yatseniuk në luftën e fjalëve me Rusinë, ndërkohë që dy vendet kanë dislokuar trupa në afërsi të kufirit të tyre të përbashkët. Kryeministri i Ukrainës tha se planet e Rusisë nuk do të kenë sukses.Po sot, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi Kievin se do të përballet me drejtësinë për atë që ai e quajti një "krim të përgjakshëm" në Ukrainën lindore, ku forcat ukrainase vranë një ditë më parë deri në pesë rebelë prorusë.Ai akuzoi gjithashtu Uashingtonin për shtrembërimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare për Ukrainën duke i bërë Moskës kërkesa shtesë.