Joe Biden sot në Ukrainë, tregon mbështetjen e SHBA-së për Kievin

Zv/Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet sot me liderët e Ukrainës, për të shprehur mbështetjen e SHBA-ve për qeverinë e saj. Përveçse situatës së rënduar në lindje të vendit, pritet që pjesë e diskutimeve të jenë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare e presidenciale, që janë parashikuar për në 25 maj.Biden do të zhvillojë takime me Ministrin e Brendshëm, por edhe me Presidentin e përkohshëm të Ukrainës. Një ditë më parë Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi autoritetet në Kiev se ka prishur akordin e arritur të enjten e shkuar në Gjenevë, i cili parashikonte ti jepte fund krizës në Ukrainë.Ai tha se qeveria në Kiev, e cila deri më tani nuk është njohur nga Moska zyrtare, nuk ka bërë asnjë përpjekje për të c'armatosur grupet ilegale në lindje, sidomos të ashtuquajturin "Sektorin e djathtë". Madje në një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, Lavrov i kërkoi SHBA-ve që të influencojë mbi Kievin, në përpjekje për të parandaluar më shumë gjakderdhje.Për këtë situatë ka reaguar edhe presidenti i rrëzuar i Ukrainës, Viktor Janukovic, i cili u bëri sot thirrje autoriteteve të reja të Kievit të tërhiqnin menjëherë forcat e armatosura nga rajonet e lindjes të Ukrainës."Duke parë përkeqësimin e jashtëzakonshëm të situatës në rajonet lindore të Ukrainës, kërkoj që të gjitha forcat e armatosura ukrainase të rikthehen menjëherë në bazat e tyre dhe të nisë menjëherë dialogu i paqes me drejtuesit e zgjedhur nga populli në të gjitha rajonet në lindje të vendit", theksonte Janukoviç."Ndodheni vetem dy hapa larg një gjakderdhjeje të rëndë. Ndaluni menjëherë!", vazhdonte ai prerazi. Nga ana tjetër Departamenti amerikan i shtetit ka publikuar një seri fotosh, të ushtarëve në lindje të Ukrainës të hënën, në të cilën duken se disa prej atyre që kanë hapur zjarr janë ushtarë të forcave special ruse. Madje është shumë e lehte të identifikohen këta ushtarë. Ende nuk ka patur asnjë reagim nga qeveria ruse në lidhje me këto foto. Nga Denisa Pasholli