Korea e Jugut, numri i të vdekurve arrin në 108
Numri i viktimave në tragetin e mbytur javën e shkuar në Korenë e Jugut, tashmë i ka kaluar mbi 100, ndërsa vijojnë ende kërkimet për trupat e tjerë, ndonëse nuk ka më asnjë shpresë që të ketë të mbijetuar.
Deri më tani zyrtarisht 108 persona kanë humbur jetën, ndërsa 194 të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi kanë mbetur të bllokuar në targetin e përmbysur. 7 anëtarë të ekuipazhit të tragetit janë arrestuar, të gjithë të akuzuar se nuk kanë dhënë asnjë ndihmë në evakuimin e të gjithë pasagjerëve. Madje, pasagjerët e shpëtuar, ndërsa kanë dhënë dëshmitë për ngjarjen, kanë theksuar se nga anëtarët e ekuipazhit u është kërkuar që të gjithë të qëndrojnë në dhoma e në kabina, pavarësisht se kapiteni kishte dhënë urdhër për evakuim.
Ekipet e shpëtimit e kanë patur shumë të vështirë të hyjnë në të gjitha kabinat e tragetit dhe në pjesën e restorantit, ku dyshohet të kenë mbetur edhe pjesa më e madhe e pasagjerëve të zhdukur. Një ditë më parë edhe presidentja e Koresë së Jugut fajësoi ekuipazhin e tragetit, duke theksuar se dënimi për ta do të jetë njësoj, si për ata që kanë kryer vrasje.