Rama: Me Berishën zihemi por mirënjohje për rolin në çështjen e Kosovës VIDEO FOTO

Me një ceremoni të kuruar deri në detaje vizuale, Shqipëria dhe Kosova janë bashkuar edhe njëherë në Kukës .

Emocione e jo në pak raste edhe lotë, kanë sjellë në një kohë tjetër pas 15 vitesh dhimbjen e madhe shqiptare matanë kufirit dhe solidaritetin e pashoq këtej kufirit të eksodit të vitit '99.

Për kryeministrin shqiptar Edi Rama 16 prill 1999 është dita “që bashkoi një herë e përgjithmonë Shqipërinë me Kosovën" në udhëtimin e përbashkët nga eksodi tek partneriteti strategjik me destinacion integrimin europian.

Për kryeministrin Rama kjo nuk është koha e teatrit nacionalist as e skeçeve, por koha e një pune intensive, koha edhe për të shprehur mirënjohjen jo vetëm për ish kryeministra socialistë, si Pandeli Majko, por dhe kundërshtarë politikë, si  Sali Berisha për rolin që kanë luajtur për pavarësinë e Kosovës.

"Për çështje politike do ishim konfliktuar edhe në çfarë muaji jemi"-tha Rama duke shtuar se fatmirësisht për çëshje madhore bashkohemi.

Pavarësia e Kosovës, Rama mirënjohje Berishës, e Majkos
"Shpreh mirënjohje dhe për Sali Berishën e PD, kur ishte në qeverisje, si pjesë e përbashkët shqiptare për pavarësinë e Kosovës dhe për të arritur në këto ditë. Nëse e kthejmë në çështje politike ne ngatërrohemi edhe sa është ora , apo është mars a prill por fatmirësisht nuk ndahemi tek cështja e madhe që deri dje mbante emrin çështja e Kosovës por sot natyrshëm ka emrin çështja e shqiptarëve."

“Falë lidershipit të Pandeli Majkos, u bë e mundur që një vend i vogël të dukej çuditshëm i madh në sytë e të tjerëve." tha Rama .

 

Të dy kryeministrat, si Edi Rama dhe Hashim Thaçi shprehën falenderimet për SHBA-në, BE-në dhe NATO-n për rolin në pavarësinë e Kosovës .

“Sot kombi shqiptar është jo vetëm më i bashkuar, por edhe më i sigurtë”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Rama: Jo më koha e teatrit nacionalist
“Kjo kohë e re nuk është e teatrit nacionalist as e skeceve, por koha e një pune intensive në të gjitha planet. Që ka filluar dhe po ndërton hap pas hapi urat e bashkimit të shqiptarëve të gjeneratës tjetër me një sistem të njësuar arsimor.” tha Rama.

Në foltoren ceremoniale kanë parakaluar pothuajse gjithë Ministrat deri edhe tek ish-prefektë e bashkiakë të periudhës së ekspodit, por mungoi përjetimi i Kryeministrit simbol të luftës Pandeli Majko, që gjithsesi mori më shumë se askush mirënjohjen brohoritëse të sallës.

Opozita nuk ishte e pranishme në ceremoni
Opozita e Shqipërisë nuk u bë pjesë e festimit të kësaj drame shqiptare, ndonëse nga qeveria u tha se ka pasur ftesë për të gjithë deputetët e majtë e të djathtë. Për shkak të angazhimeve në Tiranë edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, nuk ishte në ceremonitë e zhvilluara në kryeqytetin e bashkimit të shqiptarëve.

Bushati: Mirenjohje SHBA-NATO-BE

“Është dita për të kujtuar eksodin më të madh të shqiptarëve në Kukës dhe për të shprehur mirënjohjen ndaj SHBA-NATO-BE që ndalën spastrimin etnik.” U shpreh ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati në Pallatin e Kulturës ku po mbahet konferenca "Nga eksodi tek partneriteti strategjik".

Dokumentari përlot ministren Çitaku
Pas ceremonisë zyrtare të pritjes në Pallatin e Kulturës nisi konferenca “Nga eksodi te partneriteti strategjik”, e cila u hap me shfaqjen e një mini-dokumentari, me temë luftën e Kosovës, dramat që prodhoi, ndër to dhe dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre. Ministrja kosovare e Integrimit, Vlora Çitaku preket nga dokumentari kushtuar “Eksodit 1999 “.

Rama pret Thaçin në Vërmicë. "Zeri" :E la të priste 20 minuta

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti në pikën kufitare në Vërmicë, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët janë nisur për në Kukës.
Gazeta "Zëri" shkruan se kryeministri Thaçi ka shkuar me vonesë duke lënë të presë për gati 20 minuta kryeministrin Rama jashtë ndërsa vazhdimisht binte shi i përzier me borë.

Vonesa e shefit të qeverisë së Kosovës siç duket është arsyeja pse as Garda e Republikës së Shqipërisë e cila sipas agjendës ishte paraparë të kryente nderimet në pikën kufitare të Morinit, nuk doli fare.

Moti i keq
Reshjet e shiut e borës dhe temperaturat krejt të pazakonta për këtë stinë, nuk u bënë dot pengesë për dy kabinetet qeveritare, por as për mijëra qytetarë nga dy anët e kufirit, të bëhën pjesë e përkujtimores së një prej ngjarjeve më të dhimbshme në historinë e Kombit Shqiptar.

15 vjet më parë mijëra kosovarë kaluan kufirin dhe hynë në Shipëri për tju larguar konfliktit vrasës në ish-Jugosllavi.

 

(Foto: Gjatë ceremonisë përkujtimore për Eksodin në Kosovë)

Ja axhenda e plotë e aktiviteteve

Ora 10:00 Mbërritja e Kryeministrit të Kosovës dhe delegacionit të tij në pikën

kufitare të Morinës.

Ora 10:05 Nisja drejt Pallatit të Kulturës së qytetit të Kukësit

10:15 - 10:25 Takimi i dy Kryeministrave dhe delegacioneve të tyre si dhe Ceremonia

Zyrtare e Pritjes

Vendi: Sheshi përpara Pallatit të Kulturës

Ora 10:30 – 12:30 Konferenca "Nga Eksodi tek Partneriteti Strategjik"

Vendi: Pallati i Kulturës Kukës

Ora 12:30 Vizite tek Panairi Artizanal

15:00 - 15:45 Ndeshje miqesore Kukesi-Mitrovica

16:00-17:00 Vizite tek zyra e Kryetarit te Bashkise

17:00- 18:00 Takim me Familje Kosovare dhe Familje Kuksiane pritese

Vendi: Obelisku i Kukesit/Kulla e Qendreses

13:00 – 17:00 Aktivitete kulturore të ndryshme në Shesh (Ansambli Popullor, Cirk,

Stenda për artin Kulinar, Kinema Lëvizëse)

17:00 – 21:00 Koncert me këngëtarët më të njohur nga te gjitha trevat shqiptare

Vendi: Sheshi përpara Pallatit të Kulturës

21:00 e vazhdim Koncertet dhe aktivitetet kulturore vazhdojnë në Shesh

Më shumë

“Eksodi 1999″ , Ministrja Vlora Çitaku loton teksa shikon dokumentarin VIDEO

Eksodi ’99, Basha: Rama nuk më ftoi njësoj si në rastin e Vlorës