Komisioni i medias nis sot përzgjedhjen e anëtarëve për KD në RTSH
Komisioni i Medias nis sot përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.Anëtarët e komisionit të medias, pritet të përzgjedhin mes emrave që kanë shprehur interesin për këtë pozicion, 10 anëtarë të cilët do të plotësojnë vendet vakante në Këshillin Drejtues të RTSH-së.Pas përzgjedhjes në komisionin e medias, 10 kandidatët do të propozohen për miratim në seancën plenare.Në seancën e djeshme, komisioni ka zhvilluar një seancë dëgjimore me Blerim Kolën, kandidat për Kryetar të Këshillit Drejtues në RTSH.Në prezantimin e tij, Kola u shpreh se ka një strategji për të ndryshuar disa aspekte të funksionimit në RTSH.“Platforma ime mbështetet në tre shtylla kryesore, që janë reformimi i stafit, procesi i dixhitalizimit dhe depolitizimi. Nuk e paragjykoj stafin aktual, por realisht ka nevojë për reformim ndoshta edhe nëpërmjet trajnimeve. Çështja e dixhitalizimit duhet bërë për të implementuar ato programe që janë interesante për shikuesin, sepse realisht TVSH është i pashikueshëm. Dhe pika e tretë, procesi i depolitizimit lidhet ngushtë me reformimin e stafit dhe sigurisht që reformimi vjen nga koka, duhet të largohen personat politik, për ta bërë një media sa më të pavarur për t’i kthyer publikut në fund të fundit”, është shprehur Kola.