Dhuna ndaj protestuesve
Dua ta them qysh në krye që djegia e simboleve kombëtare të një kombi tjetër është aksion i neveritshëm.Gjithkush ka të drejtë të protestojë sa t’i dalin rrylat e fytit, por veprime të këtilla tregojnë primitivizëm.Tash, dua të shtoj që të hash dru se dikush ka djegur flamurin e kujtdoqoftë është po kaq e neveritshme.Autorët ndalohen, gjobiten dhe kaq. Në një rast të përsëritur paditen në gjykatë.Unë nuk e di edhe sa kohë do të duhet që të heqim nga koka idenë fikse që policia dhe njerëzit me uniformë i përkasin aparatit të dhunës dhe shkopi i tyre i gomës varet nga humori i ministrit apo shefit të qeverisë.Dhuna e ushtruar ditën e shtunë nuk ka autorë vetëm ata katër policë, por ka ministrin që del për inspektim në mes të natës në komisariate, thua se është qehaja, ka drejtorin e policisë që vjen në majë të piramidës se ka qenë numërues i zellshëm në zgjedhje, ka shefin e qeverisë që kërcënon se ende nuk keni parë aq sa duhet. Dhuna burimin e ka në politikë.Nuk ishte më ndryshe para se të ndërrohej kahu. Dhuna ngjizet në kërcënimet, fyerjet, sharjet, ngrefosjet, por edhe flakareshat që lëshohen në ambjentet e Kuvendit.Aktivistët u zhdëpën në rrugë, u arrestuan, u plasën në qelitë e komisariatit 3 dhe janë rrahur edhe në birruca, ndaj pushtetarët e sotëm nuk mund të dalin nga kjo histori me ndjesën që i ngjan shprehjes “m’ka çu nana me la gojën”.(Editoriali u lexua mbrëmë në emisionin "Tonight" të Ilva Tares, në TV Ora News)