Qeveria "lan duart" me çmimin e transportit urban, ia lë në derë vendorëve VIDEO
Qeveria lan duart me çmimin e transportit urban duke ia lenë në derë vendorëve. Megjithë votat kundër të opozitës projektligji ka kaluar në komisionin e Ekonomisë dhe financave.Zv.ministri i transporteve, Ylli Manjani ka deklaruar se ky projektligj nuk ka asnjë prapaskenë ndërsa shtoi se do të jetë Këshilli Bashkiak ai i cili do të vendosë për çmimin e biletave të urbanëve. Sipas Manjanit qeveria qëndrore do të kompensojë biletat për shtresat në nevojë.“Qeveria qëndrore do të ndërhyjë për të ndihmuar shtresat në nevojë dhe do të rregullojë politikat sociale. Projektligji nuk ka asnjë prapaskenë, qeveria vendore e ka patur dhe më parë përgjegjësinë për transportin urban, pasi bashkitë i japin licencat per kompanitë e transportit. Aktualisht, për këtë çështje, kemi debate vetëm me Bashkinë e Tiranës. Bashkia e Tiranës nuk na ka dorëzuar asgjë konkrete në lidhje me situatën e transportit urban” tha Manjani.Por deputetët e opozitës e kundërshtuan projektligjin duke theksuar se qeveria do të heqë përgjegjësinë e saj për rritjen e çmimit të biletës për transportin urban ndërkohë që pushteti vendor tashmë nuk ka të drejtë as të mbledhë taksat.Ky projektligj është miratuar edhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese pavarësisht kundërshtimit të nën.kryetarit të Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo.Këto ndryshime në projektligj erdhën pas kërkesës të shoqatës së transporteve për të rritur çmimin e biletës së urbanëve në kryeqytet.