7 politikanë në hetim për pastrim parash, Gazheli: Prokuroria nuk çon dosjet në gjykatë VIDEO
Shtatë politikanë janë hetuar vitin e shkuar për akuzën e pastrimit të parave. Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Genti Gazheli, bëri të ditur shifrën në seancën e sotme të Komisionit të Sigurisë, por pa dhënë emra konkretë se për cilët politikanë bëhet fjalë.Gazheli informoi deputetët se edhe pse denoncimet për pastrimin e parave janë rritur, shumë pak prej tyre përfundojnë para gjykatës."Ka vonesa të paarsyeshme nga prokuroria që çojnë edhe shuarjen e çështjes. Kemi 7 politikanë të për të cilët po hetohen që prej vitit të shkuar, ndërsa sa i takon terrorizmit, siç të gjithë e dini aksioni i kryer nga policia pak javë më parë erdhi falë një bashkëpunimi të fortë të të gjithë institucioneve ligjzbatuese përfshirë edhe ne, por ka problemet të tilla", deklaroi Gazheli.Gazheli ka folur dhe për një rritje të numrit të dyshuarve për pastrim parash, sidomos muaji nëntor e sipër."Viti 2013 është karakterizuar nga një efikasitet i ulët, po të shohim shifrat gjatë vitit 2012 kemi pasur 22 raste të denoncuara, në vitin 2013 kemi pasur 23 raste të denoncuara dhe në vetëm tre muajt e parë të 2014-ës kemi pasur 20 raste të denoncuara, pra kjo tregon se brenda tre muajve të parë të këtij viti është kryer një sasi e pune e barazvlefshme me gjithë vitin 2013", u shpreh Gazheli.Drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave shtoi se pavarësisht vullnetit të mirë që mund të kenë drejtuesit e këtij institucioni, problematika kryesore mbetet ngadalësia e punës së prokurorisë, që çon në pushimin e çështjeve."Gjatë 2013-ës puna nuk ka qenë jo efikase dhe numri i personave të referuar në prokurori ka qenë me rritje shumë të ulët, por ajo që është më problematike se nga prokuroria në gjykatë numri i çështjeve të referuara është shumë më i vogël, ç'ka përbën një pengesë për punën tonë", theksoi Gazheli.Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë, Sapartak Braho, i kërkoi Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, gjetjen e një zgjidhje për këtë çeshtje, pasi sipas tij mund të jenë mangësirat në dokumentacion, që sjellin pushimin e hetimit.