Policia kosovare aksion për kapjen e të arratisurit, Slobodan Sovërliç
Policia kosovare është duke zhvilluar një aksion të gjërë për të vënë në pranga shtetasin serb, Slobodan Sovërliç , i cili u lirua gjatë një ndërhyrjeje të dhunshme në një stacion policie të një grupi prej mbi 100 pjesëtarësh të komunitetit serb.Mbrëmjen e së mërkurës sapo shtetasi serb ishte arrestuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, ndërsa ishte në kërkim edhe për vepra të tjera penale, një grup serbësh kanë hyrë më forcë në stacionin e policisë në Zubin Potok.Ky incident ka shkaktuar plagosjen e dy pjestarëve të policisë, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha. Pas këtij incidenti është pezulluar nga detyra zëvendëskomandanti i stacionit policor në Zubin Potok.EULEX-i përmes një deklarate më mediat kërkon hetim të hollësishëm të ngjarjeve që penguan vendosjen e drejtësisë në Zubin Potok."Sundimi i turmave nuk mund të tolerohet në asnjë shoqëri. Kjo turmë duhet të izolohet, meqë paraqet kërcënim për të gjithë qytetarët që e respektojnë ligjin" thuhet në reagimin e EULEX.Incidenti është dënuar edhe nga kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç."Nëse një veprim të tillë nuk mund ta lejojmë në Serbi, nuk mund ta tolerojmë as në stacionin e policisë në Zubin Potok" ka thënë Daçiç.Daçiç kujtoi se policia në veri pasqyron përbërjen etnike të popullsisë së Kosovës dhe duhet respektuar si pjesë e marrëveshjes së 19 prillit firmosur në Bruksel.