Emiratet Arabe kundër rekrutimit të kosovarëve në Siri

Ministri i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan, thotë se nuk është e arsyeshme që të shkohet për të luftuar në Siri, duke iu referuar shkuarjes së kosovarëve atje.Kosova shumë shpejt do të hap Ambasadë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto u bënë të ditura nga sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e aviacionit civil mes dy vendeve.Sheiku Abdullah, tha se nuk është në interesin e asnjë shteti që t’i lejoj shtetasit e vet të luftojnë në vende të huaja për të luftuar.“Ne nuk e shohim të arsyeshme për Sirinë që të ketë atje çfarëdo luftëtari të huaj. Nuk ka dyshim se ajo që ndodh në Siri është katastrofë dhe barrën për këtë e ka regjimi sirian. Ne në Emirate e nxisim dhe mbështesim marrëveshjen Gjeneva 1, e mbështesim dialogun Gjeneva 2. E di që ka shumë kritika për dialogun politik, por e kam parë në rajonin e Ballkanit se mënyra më e mirë për ti dhënë fund konfliktit është dialogu politik. Por ekzistimi i luftëtarëve të huaj në Siri fatkeqësisht e ka keqësuar gjendjen në Siri”, tha sheiku Abdullah.Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj tha se Qeveria e Kosovës ka sjell projektligjin i cili e ndalon pjesëmarrjen e luftëtarëve nga Kosova në ndonjë aktivitete luftarak qoftë në Siri, qoftë në ndonjë vend tjetër në botë dhe se është shembull në këtë aspekt.