Krimet e luftës, Williamson i vendosur: Hetime të paanshme e të pavarura

Në Kosovë, autoritetet kanë bërë thirrje që të gjitha çështjet e drejtësisë të trajtohen brenda territorit të Kosovës dhe në bazë të ligjeve të saj. Komentet e tyre pasuan vizitën e prokurorit amerikan Clint Williamson që drejton punën e grupit hetues të EULEX-it për hetimin e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty për trafikim organesh në Kosovë.Në një njoftim për shtyp, Zoti Williamson nënvizon “përkushtimin e tij për të zhvilluar një hetim të paanshëm e të pavarur që do të shpalosë gjithë të vërtetën mbi pretendimet e ngritura”, dhe se sipas tij është në interesin e përbashkët për të zgjidhur këtë çështje njëherë e përgjithmonë.Williamson ka theksuar se mandati i grupit hetues është të hetojë dhe nëse duhet, të ndjekë individët që mund të jenë përgjegjës për krimet e pretenduara në raportin e zotit Marty. Ai citohet të ketë thënë se është i vetëdijshëm për spekulimet mbi të ardhmen e këtij grupi, por hetimet janë duke vazhduar dhe është pamaturi të paragjykohet çfarëdo rezultati.Gjatë kësaj vizite që është zhvilluar me dyer të mbyllura është diskutuar ideja për themelimin e një Gjykate të veçantë që do të merrej me trajtimin e pretendimeve të ngritura në dhjetor të vitit 2010 nga senatori zviceran Dick Marty dhe të përmbledhura në nja raport të janarit të vitit 2011, mbi siç thuhet, përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë pas takimit se Qeveria është e interesuar që të ndihmojë drejtësinë dhe të vërtetën, si dhe të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë, gjithnjë duke respektuar juridiksionin e vendit, por edhe duke ruajtur, siç ka thënë ai, imazhin e luftës së drejtë.“Kosova ka ndërtuar kapacitetet e mjaftueshme në fushën e drejtësisë për të trajtuar çdo rast të mundshëm qoftë me gjyqtarë vendas apo ndërkombëtarë dhe për këtë kërkoi që çdo gjykim i mundshëm të mbahet në territorin e Kosovës dhe sipas ligjeve dhe juridiksionit të saj.Kosova kërkon që të respektohet sovraniteti i vendit, të njihen të arriturat në fushën e drejtësisë dhe bashkëpunimi me EULEX-in, të respektohen të drejtat e njeriut të secilit qytetar, sipas standardeve ndërkombëtare. Institucionet e Kosovës duhet të jenë partnerë në këtë proces dhe çdo vendim duhet të respektojë qëndrimin sovran të tyre”.Pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dick Marty, patën nxitur reagime të zemëruara në Prishtinë ku autoritetet hodhën poshtë pohimet e tilla ndërsa u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për hetimin e të gjitha pretendimeve. Gatishmërinë për bashkëpunim e kishte ofruar atë kohe edhe Shqipëria për shkak se sipas pretendimeve të ngritura një pjesë e krimeve të dyshuara mund të ishin kryera në territorin e saj.Njëzet e një vjet më parë, Kombet e Bashkuara ngritën Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi veprimi i së cilës përfshinte edhe Kosovën. Nëse do të realizohej një ide për gjykatë të posaçme, Kosova do të ishte vendi i vetëm në rajon që do të përballej me një mekanizëm të tillë, që për vëzhguesit është i panevojshëm duke pasur parasysh edhe faktin se në Kosovë vepron misioni me i madh evropian për policinë dhe drejtësinë.