Tahiri: Statutet e komunave veriore të papranueshme

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se përmbajtja e statuteve të Kuvendeve Komunale në katër komunat veriore janë të papranueshme dhe kanë nevojë të plotësohen dhe ndryshohen.Tahiri ka thënë se bazuar në informacionin zyrtar lidhur me rrjedhën e seancave dhe parregullsive të evidentuara në përmbajtjen e statuteve komunale të miratuara, këto statue kanë nevojë të plotësohen dhe ndryshohen deri në atë masë sa të jenë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.“Në seancat e mbajtura gjatë pasdites në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, përveç në Mitrovicën veriore ku po vazhdon seanca edhe në këto momente, janë miratuar statutet e komunave veriore, të cilat për nga përmbajtja e tyre në disa pjesë nuk janë pajtim me Ligjet e Kosovës. Prandaj si të tilla janë të papranueshme dhe kanë nevojë që të plotësohen dhe ndryshohen në mënyrë që të jenë në pajtim me Ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës ashtu siç e përcakton marrëveshja e Brukselit. Harmonizimi i këtyre statuteve sipas Ligjeve të Kosovës duhet të ndodh para se këto statute të hyjnë në fuqi”, ka thënë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri.Ajo ka theksuar se “udhëzimi jonë si Qeveri është se Kuvendet komunale të këtyre komunave duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, në mënyrë që përmbajtja e statuteve të jetë legale dhe të mund të përdoret nga autoritetet e zgjedhura komunale”.Në të kundërtën, sipas saj, këto statute do të konsiderohen jolegale dhe Qeveria e Kosovës do të merë veprime konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saja.Lidhur me hartimin dhe miratimin e tyre, Tahiri thotë se Qeveria me mekanizmat e vet është angazhuar që të bëj harmonizimin e statuteve me ligjet e Kosovës, respektivisht u ka dorëzuar model statutet këtyre komunave si dhe ka mbajtur takime me Komisionet statusore, me Kryesuesit e Asambleve komunale dhe Kryetarët e komunave për të rezultuar në statute ligjore.Po ashtu, sipas saj, Bashkimi Evropian ka qenë i njoftuar me kohë për këto rrjedha.“Konsiderojmë se ky nuk është një zhvillim i mirë pas sukseseve të evidentuara në këtë proces duke përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe zbatimin e rezultateve përmes një procesi legal të inaugurimit të organeve të reja komunale”, ka thënë Tahiri, transmeton Koha.“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të vendos ligjin, rendin, demokracinë dhe normalitetin në këtë pjesë të vendit sipas Kushtetutës së Kosovës dhe u bënë thirrje udhëheqjeve të reja në këto komuna të respektojnë sistemin legal të Kosovës që është interesin e gjithë qytetarëve”, tha zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.