Kosovë, shënohet viktima e dytë nga gripi i derrit
Regjistrohet viktima e dytë nga gripi i derrit në Kosovë. Drejtori i Klinikës Infektive në Prishtinë, Shemsedin Dreshaj ka deklaruar se pacienti i infektuar me virusin H1N1 ka vdekur sot në mëngjes.Viktima e sotme, ishte njëri nga dy pacientët me H1N1, që ishin në gjendje kritike.Ndërkohë gjashtë pacientë vazhdojnë të jenë të shtruar në këtë klinikë, nga një infeksion respirator, që shkaktohet nga virusi H1N1, i njohur dikur si "gripi i derrit".Pak javë më parë, Kosova ka shënuar viktimën e parë nga gripi H1N1, një grua 57 vjeçe nga komuna e Dragashit.Në Klinikën Infektive në Prishtinë, 40 pacientë janë konfirmuar si të infektuar me "gripin e derrit", që nga fillimi i këtij viti.Mirëpo, drejtori i kësaj klinike, ka thënë se nuk ka vend për panik, pasi që prej pesë vjet është menaxhuar suksesshëm sezoni i viruseve, dhe se ka barna të mjaftueshme për të trajtuar këto infeksione.