Krasniqi: Dorëhiqem nga kreu i Kuvendit, vetëm nëse më kërkohet nga PDK-ja
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk do të ofrojë dorëheqje nga posti që mban përderisa të mos ketë një kërkesë nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilës i përkiste deri vonë.Ai ka arsyetuar këtë veprim me faktin se me dorëheqje do të mund të shtynte vendin në krizë institucionale.Krasniqi, tanimë edhe zyrtarisht i takon një subjekti tjetër politik me emrin Nisma për Kosovën që drejtohet nga Fatmir Limaj, po ashtu ish-zyrtar i lartë i PDK-së.“Nuk dorëhiqem pa bërë kërkesën Partia Demokratike e Kosovës për faktin se nuk dëshirojmë të krijojmë krizë institucionale në Republikën e Kosovës. Përndryshe, sapo ta zyrtarizoi PDK kërkesën për dorëheqje, jam i gatshëm në çdo moment të largohem”, ka thënë Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.Në bazë të Kushtetutës, kryetari i Kuvendit të Kosovës zgjidhet nga partia më e madhe në Kuvend.Mirëpo, me Krasniqin është krijuar një rast që nuk parashihet as me Kushtetutë, pasi që ai tani nuk i takon as partisë më të madhe, e madje as nuk i përket një partie parlamentare, ngaqë Nisma për Kosovën është një subjekt i ri politik.Pavarësisht këtij fakti, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë se nuk sheh arsye pse në këtë fazë, duhet t’i kërkohet dorëheqja Krasniqit.“Ai është kryetar i Kuvendit dhe ne nuk e shohim të nevojshme që të bëjmë lëvizje. Partia Demokratike e Kosovës nuk është e angazhuar të luftojë për pushtet por jemi të angazhuar të punojmë për shtet”, ka thënë Grabovci.Kosova ndodhet tashmë në vitin kalendarik të zgjedhjeve parlamentare.Qeveria aktuale, sipas të gjitha përllogaritjeve nuk e ka shumicën në Kuvend, por as opozita nuk është e konsoliduar që të kërkoj mocion mosbesimi dhe të çojë vendin në zgjedhje.Andaj, opsioni për zgjedhjet mbetet ende ai që kanë projektuar liderët e PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, që menjëherë pas miratimit të plotësim ndryshimeve në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, të nisin procedurat për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e zgjedhjeve.Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka përsëritur se mesi i këtij viti preferohet nga LDK-ja për organizimin e zgjedhjeve parlamentare.“Ne mendojmë që më së miri është që të shkojmë në zgjedhje gjatë muajit qershor”, ka thënë Beqiri.Para se Kosova të shkojë në zgjedhje, komuniteti ndërkombëtar pret nga Kuvendi i Kosovës të deklarohet dhe miratojë vazhdimin e mandatit të transformuar ët EULEX-it.Ndërkaq ka mbetur ende pezull nëse komuniteti ndërkombëtar do të themelojë edhe një Tribunal për krimet e luftës i cili po ashtu do të duhej të merrte miratimin e Kuvendit.Në të kundërtën, të dyja vendimet bashkësia ndërkombëtare do të mund t’i merrte përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 12 44.