BDI bojkot presidencialeve, nismë për shpërbërjen e Parlamentit
BDI bëri të ditur sonte se do të dorëzojë nismën për shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, ndërsa vendosi edhe bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale.Kjo u bë e ditur nga sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Abdilaqim Ademi pas mbledhjes së kryesisë qendrore.“BDI, vendosi të mos garojë me kandidat të saj në zgjedhjet presidenciale, dhe ti ftojë shqiptarët të mos përkrahin asnjërin nga kandidatët me çka do i jepnin legjitimitetin e rejshëm kryetarit të ardhshëm të vendit, njëkohësisht BDI vendosi që të bëjë fushatë aktive ku do të promovojë idenë dhe konceptin për president konsenzual deri në realizimin përfundimtar të saj. Grupi i ynë parlamentar do të dorëzojë në kuvend iniciativë për shpërndarjen e kësaj legjislature dhe të organizohen zgjedhje të parakohëshme parlamentare”, theksoi sekretari i përgjithshëm i BDI, që njëherit është edhe shef i shtabit zgjedhor.Ai theksoi se BDI fton të gjithë grupet parlamentare që ti bashkangjiten kësaj iniciative dhe të përkrahin propozimin tonë për miratimin e vendimit për shpërndarjen e këaj legjislature. Gjithashtu BDI-ja, u bën thirrje të gjithë faktorëve politik, shtetëror dhe qytetarëve që të japin kontributin e tyre për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratikem për të dëshmuar që jemi të aftë dhe kemi kapacitet për organizmin e tyre.Ndërkaq Partia Demokratike Shqiptare prej sot nisi aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën e kandidatit të saj për president, Iljaz Halimi për zgjedhjet presidenciale të 13 prillit.Operacioni i grumbullimit ka nisur sot në Tetovë dhe disa qytete të tjera, ndërsa nesër do të përfshihen komunat e tjera. Deri më 2 mars do të duhet të sigurohen 10 mijë nënshkrimet sipas kodit zgjedhor, që një kandidat apo subjekt politik të hyjë në garën zgjedhore presidenciale. Nga PDSH kanë theksuar se nuk është problematike grumbullimi i nënshkrimeve dhe se ky proces nesër do të jetë i mbyllur.Firma për kandidaturën e tyre po mbledhin edhe Stojançe Angellov, Biljana Vankovska dhe Hisni Ismaili. Vankovska në profilin e saj në Facebook kishte shkruar se nuk ka arritur të grumbullojë më tepër se 4 mijë nënshkrime. Pesimist është edhe Angellov, i cili nuk e zbulon numrin, por pranon se nuk do të arrijë të grumbullojë firmat e nevojshme.Edhe VMRO DPMNE-ja ka paralajmëruar mbledhjen e 10 mijë firmave për kandidatin e saj presidencial, pavarësisht nominimin nga 30 deputetët. Partia e Gruevskit synon që të gjitha firmat e nevojshme t’i mbledhë ditën e fundit të afatit ligjor, më 2 mars, pasi kandidati i tyre presidencial do të zgjidhet në konventën zgjedhore të një dite më parë.