Hoxhaj lobon për anëtarësim në KiE

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka nisur vizitën në Strasburg të Francës, për ta shtyrë përpara agjendën e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.Në një njoftim të kësaj ministrie, thuhet se ministri Hoxhaj është takuar me kreun më të lartë të këtij institucioni, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen që ka dhënë Këshilli për Kosovën gjatë këtyre viteve.Ministri Hoxhaj e njoftoi Sekretarin Jagland për zhvillimet në Kosovë, përparimin në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, si dhe për progresin e arritur në dialogun me Serbinë. Temë diskutimi ndërmjet Hoxhajt dhe Sekretarit të Përgjithshëm ishte dhe fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimi në organizata rajonale dhe ndërkombëtareShefi i diplomacisë kosovare, Hoxhaj e njoftoi Sekretarin Jagland me synimet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, duke thënë se Kosova është një vend që mishëron parimet e Këshillit të Evropës, siç janë demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.Shumica e vendeve anëtare e Këshillit të Evropës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për më shumë, marrëveshja e 19 prillit me Serbinë është argument shtesë pse Kosova duhet të aplikojë dhe të jetë anëtare e Këshillit të Evropës pasi ka zgjidhur shumë çështje të hapura me Serbinë.Kjo marrëveshje qartazi thekson se asnjëra palë nuk do të bllokojë rrugëtimin drejt Evropës. Si pjesë e këtij rrugëtimi është anëtarësimi në KiE, që për ne është si hap ndërmjetës drejt anëtarësimit të plotë në BE”, ka thënë Hoxhaj.Ministri Enver Hoxhaj shprehu vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit me zyrën e KiE-së në Kosovë. Në fund, të dyja palët u pajtuan që të vazhdojnë intensifikimin e bashkëpunimit.