Maqedonia drejt zgjedhjeve të reja, BDI dorëzon nismën për shkrirjen e parlamentit
Bashkimi Demokratik për Integrim dorëzoi sot iniciativën për shpërndarjen e Parlamentit.“Duke u bazuar në përcaktimet programore dhe qëndrimet tona koherente në interes të qytetarëve dhe të shtetit, BDI dorëzon këtë propozim për miratimin e Vendimit për shpërndarjen e kësaj legjislature parlamentare. Maqedonisë si vend me demokraci në zhvillim i nevojitet vendimmarrje me konsultime më të gjera dhe gjithëpërfshirëse, dialog më thelbësor për temat me rëndësi të vaçantë, por edhe konsenzus politik dhe etnik. Këto parime janë edhe pjesë e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemit juridiko-politik. Ne, gjithashtu kemi dëshmuar se kur ka pasur nevojë për dialog dhe kompromis jemi ngritur mbi intereset partiake. Në peiudhën që lëmë pas, BDI doli me qëndrimin që vendit i nevojitet një President konsenzual, që do të jetë i pranueshëm për shumicën e qytetarëve dhe që do të ishte edhe përfaqësues legjitim i tyre. Por, kjo ofertë e jona nuk u trajtua seriozisht nga subjektet politike dhe nuk morëm përgjigje pozitive nga asnjë subjekt politik në vend”, theksohet në arsyetimin e inicativës.Më tej thuhet se duke pasur parasysh se përcaktim i BDI-së është edhe integrimi i vendit në strukturat evro-atlantike, është konsideruar që tani është momenti i volitshëm për veprime konkrete.“BDI vlerëson se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është në favor të përmirësimit dhe avancimit të dialogut dhe raporteve me vendet fqinje, si dhe mundësi për hapjen e temave në interes të qytetarëve dhe vendit. Kjo për atë se, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare subjektet politike që do të fitojnë legjitimitetin, do të bëjnë Marrëveshje për koalicionim dhe do të formojnë shumicën e re parlamentare”, theksohet në tekst, duke bërë thirrje që grupet parlamentare të subjekteve tjera t`i bashkangjiten kësaj iniciative dhe të përkrahin propozimin për shpërndarjen e kësaj legjislature parlamenatare.Gjithashtu BDI u bën thirrje të gjitha institucioneve politike dhe shtetërore, si dhe qytetarëve të vendit që të japin kontributin e tyre për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, për të dëshmuar që jemi të aftë dhe kemi kapacitete për organizimin e tyre.Nderkohe Partia Demokratike Shqiptare, e cila do të garojë në zgjedhjet presidenciale me kandidatin e vet, Iljaz Halimin, po vazhdon aktivitetet intensive për plotësimin e njërit nga kushtet e kandidimit, respektivisht grumbullimit të 10.000 nënshkrimeve nga qytetarët mbështetës të kësaj kandidature.Nga kjo parti theksojnë se gati kanë mbyllur proçesin e grumbullimit të firmave dhe pritet që ato t`i dorëzojnë pranë KSHZ-së. Njësitë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë edhe sot janë të hapura ku qytetarët do të japin nënshkrimet e tyre për të mbështetur kandidaturën e kandidatit të PDSH.