Basha: Protestat s`po nxiten nga opozita, qeveria është fajtore për pakënaqësitë në rritje

Kreu i Partisë Demokratike ka akuzuar qeverinë se po detyron qytetarët që të dalin në protesta duke hedhur poshtë idenë se janë nxitur nga opozita. Gjatë fjalës së tij në Forumin për Lirinë Ekonomike në Tiranë, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë për politika anti-liberale, të cilat sipas tij po detyrojnë drejtuesit e furgonëve të protestojnë fuqishëm. Kreu i opozitës ka vënë theksin tek situata e rëndë ekonomike në të cilën ndodhet sipërmarrja shqiptare.“Kërcënimi nuk është më thjeshtë kërcënim por është akt. Po e nis me shembullin më të fundit me atë të grevës së shoferëve të taksive 8 + 1 e cila mbërtheu dje qendrën e Tiranës dhe bllokoi akset kryesore të vendit. Bëhet fjalë për qindra, për mijëra sipërmarrës së vegjël të vetëpunësuar të cilët në mënyrë të beftë dhe të paparalajmëruar u ndaluan nga qeveria të bëjnë atë që kanë bërë prej më shumë se 15 apo 20 vitesh në përputhje me mundësitë dhe nevojën e tregut, ofrimin e transportit për shumicën dërmuese të përdoruesve e klientëve në territorin e Shqipërisë. Ka natyrisht një tendencë të përditshme për ta kthyer edhe këtë grevë në një lojë fajësimi apo shfajësimi, dua ta them fare qartë se as unë dhe as Partia Demokratike dhe as opozita nuk jemi kundër reformave rregullatore Nuk besoj se ndonjë qeveri liberale do të kishte guximin të vepronte në një mënyrë të tillë në raport me afro 21 mijë operatorë në tregun e lirë, me qindra mijëra klientë përfitues, në raport me dhjetëra mijëra nëpunës të shërbimit civil, të cilët sot janë larguar nga puna pa asnjë motiv në shumicën dërmuese të rasteve në kundërshtim me ligjin dhe të gjitha këto kanë ndodhur me një lehtësi nga qeveria socialiste të paimagjinueshme në kushtet e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë së një shteti funksional e normal. Pra kjo frymë proteste duhet lexuar për atë që është. Nuk mund dhe duhet të ketë asnjë alibi se këtu paska një faktor politizimi të tejskajshëm apo se opozita po fërkon duart që shqiptarët po hidhen në protestë. Është e kundërta. Shqiptarët po hidhen në protestë për shkak të një goditje të intensifikuar të themeleve të ekonomisë, të tregut, të lirive, të sigurisë juridike, të shtetit ligjor”tha Basha.Kreu i Partisë Demokratike ka ironizuar qeverinë, duke theksuar se mentaliteti i drejtimit të shtetit si kazermë është kthyer në burim krize për ekonominë dhe pasigurinë në vend.“Mentaliteti se Shqipëria mund te menaxhohet si kazermë ku për çdo problem çon policinë, bën task-frocën e çon policinë, mentaliteti se policia është përgjigja e çdo problemi, çfarë ka sjellë? Ka sjellë që policia po përdoret dhe po keqpërdoret në çdo fushë vend e pa vend përveç fushës në të cilën i është besuar mandati nga taksapaguesit shqiptarë që është fusha e rendit dhe e sigurisë. Vetëm në këtë fushë polica nuk ndihet por kemi përkeqësim të jashtëzakonshëm të indeksit të krimit, të indeksit të vjedhjeve, krimit kundër jetës të shpeshtimit të kriminalitetit të formave më të rënda siç është ai i përdorimit të eksplozivëve kundër jetës dhe pronës së qytetarëve, në këtë fushë nuk ndjehet shteti.Në çdo fushë tjetër policia është e gjithpranishme dhe shikohet si receta për t'iu kundërvënë çdo problemi. E pra duket qartë se Shqipëria po kthehet në një kampion akademik të vërtetimit të tezës se një shtet i cili shkon nga grumbullimi pa fund pa kufi pa koncept i kompetencave jo vetëm nuk arrin ti ushtrojë ato siç duhet por zvogëlon gjithmonë e më shumë efiçencën zvogëlon gjithmonë e më shumë mundësinë për t'iu përgjigjur sipas ligjit dhe sipas rregullave detyrave që ka. Ndërkohë që kaosi që vjen si rezultat i tkurrjes së aftësisë së shtetit për të vepruar aty ku duhet të veprojë kthehet në një gangrenë të vërtetë për të gjithë faktorët ekonomikë, për stabilitetin për sigurinë juridike e për çdo aspekt tjetër që lidhet drejtpërdrejt në biznes me garantimin e kushteve për investimet të brendshme apo të huaja, me garantimin e një jete normale në shoqëri”theksoi kreu i PD-së.Sipas Bashës, programi ekonomik i Rilindjes së majtë ishte i gabuar që në koncept. Ekonomistë e përfaqësues të biznesit kanë shkëmbyer ide në lidhje me problemet ekonomike të vendit.