Raporti i DASH, AP: Prioritet dhe program pune për institucionin
Institucioni i Avokatit të Popullit mirëpriti dhe do të shqyrtojë me shumë kujdes dhe vëmendje raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri.Në një deklaratë për mediat, Avokati i Popullit theksoi se e vlerëson këtë raport si një dokument pune shumë të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut. Një kontribut i çmuar për zhvillimin, promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.Sipas Avokatit të Popullit, raporti dikton vëmendje të posaçme në fusha si: korrupsioni, trafiku i paligjshëm i qenieve njerëzore, dhuna në familje, abuzimi ndaj grave dhe fëmijëve, dhuna në polici e burgje, kushtet në burgje, diskriminimi me shkak statusin e pakicës etnike, identitetit gjinor apo orientimit seksual, etjInstitucioni i Avokatit të Popullit i konsideron si mjaft të rëndësishme te gjitha problematikat e ngritura nga raporti i Departamentit Amerikan te Shtetit dhe do i përkthejë ato në prioritet dhe program pune për institucionin.