Ligjet kalojnë paketën antikorrupsion, nga 21 vepra penale të rënda mbeten 4
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u mblodh sot dhe shqyrtoi ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë në ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në projektligjin nr. 7905, datë 21.03.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë “, të ndryshuar si dhe në ligjin projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.Nga radhët e opozitës të pranishëm ishin deputetët Nard Ndoka, Tahir Muhedini dhe Arben Ristani.Në fjalën e tij para anëtarëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, theksoi dosmosdoshmërinë e këtyre ndryshimeve në luftën ndaj korrupsionit dhe garantoi vullnetin e qeverisë për të vijuar pa kompromis këtë betejë edhe në të ardhmen.
“Që në momentin e parë kemi e parashikuar që në të gjitha rastet ta luftojmë në front korrupsionin i fenomen. Nga ajo që ne nuk kemi lëshuar dhe nuk lëshojmë, është te qëllimi, i cii është i njëjtë, për të luftuar pa kompromis korrupsionin. Nga stafi i Ministrisë së Drejtësisë, që në momentet e para është diskutuar në të tre variantet e kësaj pakete antikorrupsion. E para që ne e kemi paraqitur që duhet të përfshiheshin si kompetencë lëndore të prokuroria dhe te Gjykata e Krimeve të Rënda për t’i shkëputur nga pjesa tjetër,m nga rutina e përditshme e prokurorive të zakonshme dhe për të identifikuar korrupsion”, u shpreh Ministri i Drejtësisë.“Pra të 21 veprat penale për korrupsionin të ishin kompetencë lëndore te Prokuroria e Krimet e Rënda. Një variant i dytë diskutohej në bazë të nenit 241 në kufijtë e lejimit të përgjimit, pra për ato vepra penale të korrupsionit që parashikojnë mbi 7 vjet burgim dhe në variantin e tretë që të përfshiheshin ato vepra penale që tashmë janë të parashikuara në Kodin Penal, në nenin 52 , në rastin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë për korrupsion. Por në momentin fundit, dhe pas publikimit të një sondazhi që ne na rendit në vendin e 116 në botë si perceptim për korrupsionin, sigurisht që mbajtëm linjën e ashpër, pra që të 21 veprat për korrupsionin të gjykoheshin dhe të dënoheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda”, theksoi Naço.Ndërhyrja që propozohet nëpërmjet ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, ndër të tjera, synon ta konsiderojë korrupsionin, ndër krimet e rënda në vendin tonë dhe që duhet të gjykohet nga një gjykatë e specializuar dhe të hetohet nga një prokurori e specializuar.Në këtë kuadër, veprat penale në fushën e korrupsionit duhet të përfshihen në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, veçanërisht për shkak se korrupsioni është i lidhur ngushtësisht me veprat penale në fushën e pastrimit të parave, krimin e organizuar, si dhe trafikimin e shfrytëzimin e prostitucionit.Përfshirja e gjykimit të veprave penale që lidhen me korrupsionin nën kompetencën lëndore të Gjykatës për Krime të Rënda dhe për rrjedhojë edhe nën kompetencën lëndore të prokurorisë për krime të renda hetimi i çështjeve për korrupsion, është një arsye që favorizon eficencën në hetimin dhe gjykimin më profesional (përdorimi i metodave speciale të hetimit) dhe të shpejtë, të veprave penale në fushën e korrupsionit.Ministria e Drejtësisë, propozoi që ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të shoqërohen me një ndërhyrje edhe në ligjin nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese” me qëllim përfshirjen e veprave penale të korrupsionit në fushën e veprimit të këtij ligji.Nisma parashikon që në nenin 3 të ligjit nr. 10192/2009, ku parashikohen veprat penale që përfshihen në fushën e veprimit të ligjit, të shtohen edhe veprat penale të korrupsionit.Komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi dy projektligjet, ndërkohë që deputeti z. Arben Ristani u largua nga mbledhja gjatë votimit.