Protestat për rektorin, presidentja Jahjaga: Mos përdoret dhunë
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se dhuna nuk është zgjidhje dhe ka bërë thirrje që problemi i krijuar në Universitetin e Prishtinës të kapërcehet përmes një dialogu konstruktiv.Zëdhënësi i saj, Arbër Vllahiu, theksoi se të gjitha palët duhet të përmbahen nga dhuna për t’i lënë hapësirë zgjidhjes institucionale.“Universiteti i Prishtinës është një institucion plotësisht i pavarur dhe autonom. Presidentja e Republikës së Kosovës po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në UP dhe duke bërë thirrje për përmbajtje nga dhuna vlerëson se është i domosdoshëm dialogu konstruktiv që çon drejt një zgjidhjeje të pranueshme”, ka theksuar Vllahiu.Ai ka thënë se Universiteti i Prishtinës duhet të gjejë vetë zgjidhjen e pranueshme brenda kornizës ligjore.“Është e domosdoshme që situata të mos përshkallëzohet dhe që të tregohet përmbajtje nga të gjithë. Dhuna nuk është zgjidhje. Kapërcimi i gjendjes mund të bëhet brenda institucionit dhe në suaza ligjore”, ka shtuar Vllahiu.