Prishtinë, përshkallëzohen protestat
Dita e nëntë e protestave në Prishtinë ka sjellë përshkallëzim dhe intensifikim të mëtejshëm të dhunës së ushtruar mes forcave të policisë dhe studentëve protestues. Përpara rektoratit të Universitetit "Hasan Prishtina" është zhvilluar një betejë e vërtetë mes studentëve protestues të cilët kanë tentuar disa herë të hyjnë në godinën e rektoratit dhe forcave të shumta policore, ku sipas të dhënave zyrtare 33 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë mbetur të lënduar nga dhuna. Të dhënat flasin edhe për 39 protestues të lënduar. Protestuesit, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë sulmuar me bojë të kuqe dhe gurë policët ndërsa ata kanë lëshuar gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.Sipas mediave kosovare, prokuroria ka urdhëruar arrest me 48 orë për 31 personave ndërsa 3 të tjerë janë denoncuar për kundërvajtje.Qendra Klinike Universitare e Kosovës, njofton se deri në ora 16:15 të ditës së premte në Klinikën e Emergjencës kanë kërkuar ndihmë të menjëhershme mjekësore 11 te lënduar, prej tyre 4 policë të Kosovës, 2 gazetarë dhe 5 protestues student asnjë prej tyre me lëndime të rënda.Prishtina është kthyer në një arenë të dhunshme protestash prej disa ditësh me rradhë pasi studentët e Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të rektorit Ibrahim Gashi, pas akuzave të lëshuara ndaj tij për shpërdorim detyre dhe depolitizimin e UP-së.