Kosovë, mediat:Thaçi president ndërsa Hardinaj kryeministër
Hashim Thaçi do ta mbajë postin e kryeministrit të paktën derisa të përfundojë dialogu i nivelit të lartë politik, i nisur kohë më parë me Serbinë.Më pas pritet që të zhvillohet edhe rrokada që do të mund ta çonte atë në majë të pushtetit.Sipas gazetës “Koha Ditore” ka një plan ndërmjet PDK-së e AAK-së për bashkëqeverisje afatgjate, me të cilin Haradinaj parashikohet të zëvendësoj Thaçin në postin më të lartë në ekzekutiv.Mirëpo që plani të realizohet, duhet siguruar edhe mbështetja nga partia më e madhe opozitare, LDK.Kjo, për të siguruar pjesëmarrjen në sallën e Kuvendit të dy të tretave të deputetëve, në procesin e votimit të Thaçit si president.Por, plani pritet të mos implementohet pa përfunduar dialogu Kosovë – Serbi.Ndërkohë një ditë pasi Ramush Haradinaj ka bërë publike ambicien për të marrë postin e Kryeministrit, ka ardhur përgjigja e partisë së Hashim Thaçit.Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se partia e tij as që ka menduar dhe folur për mundësinë që liderit të AAK-së t’i jepet posti më i lartë qeveritar.Megjithëkëtë, Kuçi ka thënë se PDK-ja po mendon të ndërtojë partneritet me AAK-në, jo vetëm në këtë mandat zgjedhor, por të paktën edhe në mandatin e ardhshëm.“Personalisht mendoj se duhet ta ndërtojmë një partneritet afatgjatë me AAK-në. Kjo nënkupton jo vetëm brenda këtij mandati zgjedhor, por edhe për mandatin tjetër”, ka thënë nënkryetari i PDK-së.Por i pyetur nëse do t`ia lërë Hashim Thaçi postin Ramush Haradinajt, Kuçi është përgjigjur: “As s’e kemi menduar dhe as s’e kemi biseduar”.Ndërkohë mediat kosovare theksojnë se Kryetari i AAK-së mund të bëhet Kryeministër vetëm pas zgjedhjeve të reja.