Nishani-Pittella:Integriteti i institucioneve të pavarura, provë për Shqipërinë
Shqipëria është para një prove të rëndësishme që ka të bëjë me ruajtjen e integritetit kushtetues të institucioneve të pavarura. Kështu është shprehur Presidenti Bujar Nishani gjatë takimit me Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian,Gianni Pittella dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës në vendin tonë.Në fjalën e tij, Nishani theksoi se procesi i integrimit evropian ka ende shumë sfida përpara duke u ndalur tek reforma në sistemin e drejtësisë, e cila duhet të bazohet dhe reflektojë tre kolona kryesore: transparencën, efiçencën dhe pavarësinë e sistemit.Ndërsa shprehu mirënjohjen e Shqipërisë ndaj rolit dhe qëndrimit të Parlamentit Evropian në përgjithësi, si dhe atë personal të zotit Pittella në veçanti në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, presidenti Nishani ka theksuar se ky vlerësim bazohet tek njohja e arritjeve dhe meritave të Shqipërisë si dhe tek inkurajimi i reformave të ndërmarra.Në vijim, Presidenti rikonfirmoi edhe në këtë takim se marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në qershor të këtij viti është pjesë e përmbushjes së aspiratës madhore, objektivit dhe alternativës së vetme të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se marrja e statusit do të shënonte një hap të mëtejshëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe se integrimi i Shqipërisë, por edhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do t’i shërbente edhe më shumë stabilitetit, forcimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të këtij rajoni, duke vlerësuar njëkohësisht qëndrimin pozitiv të Shqipërisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, paqe dhe stabilitet me vendet e rajonit.Në përfundim, Presidenti Nishani shprehu dhe njëherë vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj mbështetjes së dhënë nga Parlamenti Evropian në përgjithësi dhe zoti Pittella në veçanti ndaj Shqipërisë duke shprehur bindjen se kjo mbështetje do të vijojë të mbetet e fuqishme në rrugëtimin evropian të vendit tonë drejt anëtarësimit me të drejta të plota në familjen evropiane.