Reforma administrativo-territoriale, Suedia: Mund të realizohet vetëm me konsensus
Ata që do ti japin vulën reformës territoriale nga ana financiare kërkojnë që politika të arrijë konsensus. Lisa Frederiksson, përfaqësuese e Ambasadës suedeze, deklaroi se ky proçes duhet të ketë gjithpërfshirje, pasi është në të mirë të qytetarëve.
“Ne po e mbështesim Shqipërinë nga ana financiare, por duhet që të arrihet dialog edhe nga ana politike po e theksoj këtë edhe pse është një çështje e brendshme e vendit tuaj.Kjo reformë duhet të ketë gjithpërfshirje në mënyrë që të sjellë efekte pozitive për qytetarët” tha ajo.Ministri per Çeshtjet Vendore, Bledi Çuçi, theksoi serish se duhet bashkepunim i palëve në këtë reformë.“Të bëjmë një proces sipas kërkesave kushtetuese e ligjore dhe praktikave më të mira evropiane. Donatorët kryesorë që asistojnë në vendin tonë për reformën e decentralizimit na kane dhënë mbështetjen e plotë. Le të jetë ky një takim ku të ndajmë gjithë vëmendjen tonë ndaj kësaj reforme, dhe pikënisje për të ndarë në territore që përfaqësojmë për të përcjellë këtë pjesë të procesit në kuadër të transparences” tha Çuçi.Kryetari i Shoqatës për Autonomi Vendore, Artan Shkëmbi, u shpreh se shumë njësi vendore aktualisht janë në vështirësi mbijetese, prandaj duhet reformim.Tryeza e Rrumbullakët “Reforma Administrativo-Territoriale – Sfidat e Procesit”, është si pikënisje e punës dhe si pjesë e platformës së transparencës dhe diskutimit, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes me aktorët politikë kombëtarë dhe përfaqësuesit e qeverisjes vendore.