A po shkon Ukraina drejt luftës civile…?

Konferenca e Sigurisë që u zhvillua ditët e fundit në Mynih, krahas të tjerave një vëmendje të veçantë u kushtoi zhvillimeve politike në Ukrainë. Në konferencë merrnin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë, por edhe të opozitës parlamentare ukrainase. Sekretari amerikan i Shtetit, z. Kerri, deklaroi se “Asnjëherë nuk ka qenë më e rëndësishme se sot lufta për një të ardhme demokratike europiane në Ukrainë dhe se SHBA dhe BE do të jenë me popullin ukrainas në këtë luftë”.Si një nga republikat e ish-Bashkimit Sovjetik që nga viti 1992 dhe e shkëputur pas 17 vjetësh, Ukraina është vendi me sipërfaqen më të madhe në Europë mbas Rusisë, me një popullsi 45 milionë, ku rreth 80% janë ukrainas dhe 17% rusë.Që në vitet e para të pavarësisë, kur Presidenti i vendit ishte Leonid Kucma, e deri në ditët e sotme, përgjithësisht vendi është drejtuar nga udhëheqje autoritariste, larg demokracisë perëndimore. SHBA dhe BE kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta afruar Ukrainën me Perëndimin, për të vendosur një demokraci funksionale dhe ekonomi tregu. Vetëm ndihma e drejtpërdrejtë e SHBA-ve në dy dekadat e fundit për Ukrainën ka qenë mbi 7 miliardë USD.Protestat në Ukrainë nisën më 21 nëntor të vitit të kaluar. Protestuesit marshuan në Majdan Nezalezhnosti të sheshit “Pavarësia” në kryeqytet për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë që ishte shprehur kundër nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocimit me BE në Vilnjus. Pa dyshim që një marrëveshje e tillë do të ofronte shpresa dhe realitete të reja për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit. Por ajo parashikon gjithashtu edhe heqjen e vizave me vendet e BE. Ky ishte manifestimi i parë i qartë i një gjenerate të re në Ukrainë, që nga pavarësia e ndryshme edhe me Revolucionin Portokalli të 2004-s. Demonstruesit janë të motivuar krejtësisht në vullnetin dhe luftën për ta afruar Ukrainën me BE.Në përgjigje të kërkesave të studentëve, qeveria përdori dhunën e ashpër policore. Përleshjet mes policisë dhe protestuesve arritën kulmin më 11 dhjetor, pikërisht në ditën kur përfaqësues të lartë të SHBA dhe BE ndodheshin në Kiev për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës politike. Nga regjimi u injorua zëri i protestuesve që përditë e më shumë mbushnin sheshin qendror të Kievit dhe ngrinin krye kundër autoritarizmit, pushtetit të korruptuar dhe personal, kufizimit të të drejtave dhe lirive themelore dhe censurimit në media. Nga qeveria u mendua se dimri i acartë dhe dhuna policore do të shuanin shpirtin e protestës, tashmë jo vetëm të studentëve, por dhe të mijëra banorëve të qytetit, përfaqësuesve të shoqërisë civile, aktivistëve, gazetarëve, por edhe të politikanëve opozitarë.Si sfidë ndaj protestës gjithnjë e më masive e në rritje, Presidenti Janukoviç u kthye nga Moska me një kredi prej 5 miliardë USD dhe me reduktimin e çmimit të blerjes së gazit rus.Rusia po ushtron përherë e më shumë hegjemoninë e saj jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe në një kuadër më të gjerë ndaj grupeve prej 6 vendesh të Europës Lindore, Kaukazit të Jugut, të përfshirë nga BE në kuadrin e “Partnershipit Lindor” (Ukraina, Armenia, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Azerbajxhani). Moldavia dhe Gjeorgjia kanë negociuar tashmë me BE për marrëveshjen. Moska ushtroi presion të madh ndaj Presidentit Janukoviç për të mos nënshkruar Marrëveshjen e Asocimit me BE, madje që në gusht të vitit të kaluar Rusia bllokoi për një javë importet nga Ukraina, duke i shkaktuar kësaj humbje në miliarda dollarë.Në këtë situatë që rendohet dita-ditës dhe kur pritej negocimi me qeverinë për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, Presidenti Janukoviç votoi në Parlament ligjin më antidemokratik që nga pavarësia e vendit. Ligji ndalonte lirinë e grumbullimit, të manifestimit, të shprehjes së lirë të mendimit dhe informimit nëpërmjet shtypit. Ky ligj dhunoi hapur jo vetëm dokumentet e organizmave ndërkombëtarë ku Ukraina është palë, por dhe vetë Kushtetutën e vendit. Me miratimin e këtij ligji, Ukraina u kthye në një nga regjimet më autoritare të hapësirës post-sovjetike. Një ligj i tillë nuk u ndërmor asnjëherë edhe gjatë Revolucionit Portokalli 2004.Por edhe me hyrjen në fuqi të këtij ligji represiv, demonstruesit nuk u ndalën. Në rrugët e Kievit u bënë të zakonshme përleshjet me policinë dhe përdorimi nga kjo e fundit e plumbave të gomës, gazit lotsjellës, pompave të ujit, arrestimeve masive e deri edhe viktimave në shesh. Të ndodhur përpara kësaj situate në sheshin “Pavarësia” u panë edhe liderë të partive opozitare parlamentare, që u surprizuan nga vendosmëria e protestuesve dhe u bashkuan me ta. Liderët opozitarë deri në ato momente ishin të përqendruar në objektivin e tyre strategjik të zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm dhe duket se nuk ishin të unifikuar për të prirë me kërkesa të qarta politike në këtë protestë masive popullore. Megjithatë, tashmë udhëheqësit opozitarë janë të bashkuar me masën e protestuesve dhe mbështesin pa rezerva kërkesat e tyre. Dasitë ndërmjet liderëve opozitarë duket se kjo protestë masive po i shuan dhe po i vë ata përpara për ndërmarrjen dhe drejtimin e aksioneve politike për vendosjen e demokracisë. Në fund të fundit, e kanë kuptuar tashmë fare qartë se “udhëheqësi i Revolucionit është populli ukrainas”. Ndërkohë, qeveria e njeh shumë mirë faktin se shoqëria ukrainase është shumë e aftë për t’u organizuar dhe po kaq mirë nisi të kuptojë se edhe mbas vendosjes së ligjit antidemokratik, represioni nuk do të sillte parashikimet e menduara. Rrugët e Kievit, pavarësisht acarit dimëror, janë tashmë të mbushura me protestues, që kanë ngritur barrikada dhe po përballojnë dhunën policore. Sheshi “Pavarësia” është shndërruar në një fushë beteje të vërtetë. Janë pushtuar disa ministri dhe institucione qeveritare nga demonstruesit dhe kërcënimi i Presidentit Janukoviç për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk i ka zbrazur ato. Në një situatë të tillë dhe pas kërkesave të shumta, Presidenti pranoi më 22 janar të takohej me liderët e partive opozitare parlamentare. Ata i kërkuan Janukoviçit që të abrogonte ligjin antidemokratik të miratuar më 16 janar dhe lirimin e të gjithë manifestuesve të burgosur. Presidenti anuloi ligjin dhe e detyroi Kryeministrin e vendit të japë dorëheqjen. Janukoviç i propozoi opozitës që të emëronte një kryeministër nga rradhët e saj, por që u kundërshtua nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët tashmë ndryshe nga ditët e para të protestës, janë qartësuar për misionin e tyre, janë koordinuar më mirë në aksionin opozitar dhe për këtë kanë marrë gjithnjë e më shumë mbështetje nga Perëndimi. Konferenca e Sigurisë e zhvilluar në Mynih që përmendëm në fillim të këtij shkrimi, tregoi fare qartë se SHBA dhe BE qëndrojnë në anën e protestuesve për demokraci të vërtetë kundër represionit ndaj opozitës, kundër dhunës policore, kundër korrupsionit, kundër mohimit të lirive dhe të drejtave themelore dhe lirisë së shtypit.Megjithëse ditët e fundit nga protestuesit është kërkuar ndryshimi i Kushtetutës dhe dorëheqja e Presidentit Janukoviç, ky i fundit me kampin e tij po karikon me të gjitha mënyrat makinerinë shtetërore represive dhe shërbimet sekrete për t’u rizgjedhur President në marsin e ardhshëm. Ai po flet edhe për një grusht shteti për t’i hapur rrugë në këtë mënyrë zbatimit represiv të planeve të tij. Nga ana tjetër, Janukoviç po shfrytëzon në planin ekonomik dhe social edhe kredinë ruse të marrë në dhjetor, si dhe negocimin tashmë të nisur për uljen e çmimit të gazit rus, duke synuar kështu që të përmirësojë sado që të mundet treguesit e dobët ekonomikë të vendit. Janukoviç, me synimin e tij për t’u rizgjedhur President po punon për të rritur kontrollin shtetëror mbi mediat, sidomos mbi TV. Kjo do t’i jepte shumë pak akses përfaqësimit të opozitës në stacionet e mëdha televizive në vend nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin normalisht vitin e ardhshëm. Por duket se parashikimet nuk janë optimiste për regjimin. Ukraina, me situatën e rënduar politike, duket se po shkon edhe drejt luftës civile. Puna ka arritur deri aty sa qeveria po përpunon “masa” juridike për të privuar kandidimin e Vitali Klicko, ish-kampion i botës në boks në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, si kandidati të cilit Presidenti Janukoviç i druhet më së shumti.Gjithsesi, situata është tepër e ndezur. Do ketë zgjedhje parlamentare në mars të vitit të ardhshëm apo protestuesit do të ngrihen për të larguar qeverinë e Presidentit Janukoviç me demonstrimet që kanë nisur, këtë do ta tregojnë qoftë edhe ditët në vazhdim. Janukoviç bën të fortin, por është më i dobët së kurrë. Regjimi që ai drejton po ndeshet me një valë të madhe zemërimi dhe revolte popullore. Tashmë regjimi nuk ka përballë e thjesht si dikur kundërshtaren Timoshenko, ish-kryeministren miliardere nga me të mëdhatë në Europë e që vazhdon të jetë në burg. Tashmë regjimi është përballë popullit dhe Janukoviç ndoshta nuk do të ketë kohë të mendojë për 2015-n. Zgjedhjet janë larg dhe nuk dihet nëse do t’i arrijë. Populli është në shesh për demokraci, për një Ukrainë europiane./Burimi: panorama.com.al/