Homazhe për Ibrahim Madhin nderohet për herë të fundit mjeshtri i violinës

Presidenti Nishani shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të violinistit dhe artistit të popullit shqiptar, Ibrahim Madhi. Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti Nishani thekson se la pas ndjenjën e pakufishme të respektit, të mirënjohjes dhe të vlerësimit për Artin dhe Artistin.“Artisti i Popullit, Ibrahim Madhi, të cilin e kemi dëgjuar për vite e vite të tëra, sot, e mbylli violinën e tij dhe u nis drejt përjetësisë. Na la ndjenjën e pakufishme të respektit, të mirënjohjes dhe të vlerësimit për Artin dhe Artistin. Një vendi dhe një populli si ky yni i duhet shumë muzika, arti i madh dhe i vërtetë, ai që na bën më njerëzorë, më të dashur dhe më paqësorë. Këtë mision fisnik e bëjnë njerëz të rrallë, që edhe me ikjen e tyre, na lënë mesazhe të pashlyeshme. Familja, të afërmit, shokët, miqtë, të gjithë ne, shqiptarët kudo ku jemi, ndiejmë dhe kuptojmë se nuk ka vdekje për violinistin e madh, Ibrahim Madhi, për sa kohë muzika e tij do të jetojë” theksohet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të Shtetit.Ndërkohë në Universitetin e Arteve, atje ku Ibrahim Madhi ka ushtruar edhe profesionin e profesorit janë zhvilluar homazhet për nder të tij.Homazhe në nderim të figurës së Artistit të Popullit, violinistit,  Ibrahim Madhi, zhvilloi edhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.Në një prononcim për mediat, Meta, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen e parakohshme nga jeta të “Artistit të Popullit” dhe ka vlerësuar trashëgiminë e lënë pas nga Madhi.“Dua të shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të ‘Artistit të Popullit’, z. Ibrahim Madhi. Një gjeni i violinës dhe i shkollës së harqeve. Një personalitet i muzikës sonë, i kulturës sonë dhe me këtë rast shpreh solidaritetit e madh për familjen tij, pro edhe për të gjithë komunitetin e artistëve dhe shpreh bindjen se ai ka lënë një trashëgimi mjaft të çmuar për të cilën do të kujtohet gjithmonë”, tha Kryetari i Kuvendit.Meta shprehu bindjen se me veprën e tij dhe kontributin e tij do ta vazhdojnë përfaqësues dinjitoz e virtuoz të violinës dhe të shkollës së harqeve, të cilët Madhi i ka pasur studentë.“Jam i bindur se me veprën e tij, kontributin e tij, po e vazhdojnë dhe do ta vazhdojnë përfaqësues shumë dinjitoz dhe virtuoz të violinës dhe të shkollës së harqeve, të cilët i ka pasur studentë dhe i ka edukuar me dashurinë, talentin dhe pasionin e tij, të cilët sot shkëlqejnë në Shqipëri , por edhe në botë. Me këtë rast, sot jemi pranë familjes të artisti të madh dhe të paharruar z. Ibrahim Madhi”, shtoi Kryetari i Kuvendit.Ndërkaq, Meta theksoi se talente të tilla do të mbeten gjithnjë pikë referimi për të ardhmen dhe se duhet bërë akoma më shumë për këto figura të paçmueshme të trashëgimisë kulturore.“Jemi pranë botës së muzikës dhe kulturës. Jemi pranë publikut i cili është i tronditur për këtë humbje të parakohshme. Njëkohësisht, shpreh bindjen se talente të tilla, në sajë të veprës dhe kontributit të tyre mbeten gjithmonë pika referimi edhe për të ardhmen dhe e theksoj se trashëgimia e tij është mjaft e vyer. Ne duhet të bëjmë akoma më shumë për këto figura, sepse nuk janë figura të zakonshme dhe trashëgimia kulturore nuk ka çmim dhe nuk ka vlerë, por ajo është e jashtëzakonshme”, përfundoi Meta.Basha: Vepra e Madhit, e përjetësuar. I lutemi Zotit, të prehet në paqe!“Respekti dhe nderimi për artistin e madh, violinistin e shquar dhe pedagogun e respektuar Ibrahim Madhi është përtej fjalëve që mund të thotë sot çdokush nga ne. Shfaqet qartë në gjatësinë e radhës së miqve, dashamirësve, admiruesve të artit të tij që janë të pranishëm sot, por edhe të personalitetit të tij, në dëshpërimin që ata ndajnë me qindra mijëra qytetarë shqiptarë për këtë humbje të madhe në fushën e artit. Unë, në emrin tim, të Bashkisë së Tiranës dua të përulem me respekt, me nderim të veçantë para veprës së këtij njeriu që me punë të palodhur ndër vite u bë simbol i seriozitetit, integritetit, frymëzimit dhe dashurisë për artin, për brezat e ardhshëm e të ngushëlloj familjarët, të afërmit dhe të gjithë admiruesit e tij anembanë Shqipërisë e kudo në botë. Shpreh bindjen se vepra e tij është e përjetësuar e t’ i lutemi Zotit që të prehet në paqe! Faleminderit!”Profesor Ibrahim Madhi me një karrierë 50-vjeçare, ai është nderuar me çmimin “Artist i Popullit” në vitin 1999.