Kuçi: Askush s`po e anashkalon LDK-në

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i ka bërë thirrje publike LDK-së të jetë pjesë e proceseve të rëndësishme për shtetin.Kjo deklaratë e Kuçit vjen një ditë pasi anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri ka deklaruar se LDK-ja po anashkalohet si subjekt politik në procese të rëndësishme për vendin.Kuçi në një prononcim për mediat, e ka përshëndetur deklaratën e Hazirit, duke ia bërë të qartë se LDK-ja do të ketë hapësirë të mjaftueshme dhe proporcionale me fuqinë politike që ka për të dhënë kontributin në proceset e ardhshme në vend.“Lutfi Haziri ka plotësisht të drejtë ngaqë LDK-ja është partia e dytë në vend dhe me një traditë shtetformuese. LDK ka treguar çdoherë kur kanë qenë në pyetje interesat madhore të vendit. Ne do të japim hapësirë të mjaftueshme dhe proporcionale me fuqinë politike që ka LDK-ja pasi ky është detyrimi ynë për të hapur mundësi, por edhe i LDK-së për t`i shfrytëzuar këto mundësi që, në fakt, janë përgjegjësi shtetërore dhe kombëtare”, ka thënë ndër të tjera Kuçi.