Plani për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme përplas SHBA me Izraelin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan komentet fyese të bëra nga Ministri i Mbrojtjes i Izraelit për Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, në lidhje me nismën e tij për ndërmjetësimin e paqes në Lindjen e Mesme.Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, deklaroi se "komentet e bëra prej Moshe Yaalon janë të papërshtatshme, duke konsideruar mbështetjen që SHBA i japin sigurisë së shtetit të Izraelit".Deklarata e DASH-it përbën një kritikë të rrallë të Uashingtonit ndaj aleatit më të ngushtë të rajonit.Më parë gjatë javës, Yaalon tha se Kerry po vepron "me një entuziasëm mesianik, mbi fiksimet e tij të gabuara".Ministri Moshe Yaalon, doli me një breshëri kritikash pasi gazeta më e madhe izraelite Yediot Aharonot e citoi atë duke thënë se plani që ka paraqitur Kerry është i dobët dhe se është harxhuar letër pa nevojë për ta shkruar atë.Yaalon ka shfaqur shpresën që Kerry, do të ndërpres përpjekjet e tij për paqe mes Izraelit dhe Palestinës, dhe se do të përqendrojë energjinë e tij gjetiu.“Plani amerikan për aranzhmanet e sigurisë, i cili na është prezantuar neve, nuk është i denjë për letrën në të cilën është shkruar”, citohet të ketë thënë Yaalon nga kjo gazetë t’i ketë thënë në një bisedë private zyrtarëve izraelit.Ai po ashtu ka thënë se Kerry është naiv dhe i mërzitshëm.“Plani i tij, nuk nënkupton as siguri, dhe as paqë”, ka thënë ministri izraelit i mbrojtjes.Që prej marrjes së detyrës së tij, Sekretari Amerikan i Shtetit është përpjekur të ndërmjetësojë arritjen e paqes midis palestinezëve dhe izraelitëve, por bisedimet janë minuar nga disa vendime të Tel Avivit për zgjerimin e vendbanimeve hebrehe në territorin e pushtuar palestinez.